Search

Situata alarmante, konsumi arrinë në 1400 megavat

23 Dhjetor, 2021


Operatori i sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike – KOSTT ka bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm në tejkalimin e situatës së jashtzakonshme me rrymë në Kosovë.

‘Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vëshirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjsë elektrike në bursat ndërkombëtare’, ka shkruar KOSTT në postimin në rrjete sociale.

Konsumi i energjisë elektrike në vend ka tejkaluar rekordet e rritjes normale me 10.8% rritje karahasuar me vitin e kaluar, derisa piku i ngarkesës në sistemin e transmetimit ka thyer rekordin e shenuar ndonjëherë me 1398 MW, ndërsa konsumi mesatar për orë është 1198 MWh/h.

‘Ngarkesat e tilla në sistemin energjetik shkaktojnë amortizim të konsiderueshëm të aseteve si dhe mbingarkesa në pajisjet elektrike’, ka thënë KOSTT.

KOSTT ka thënë se Kosova është duke shkaktuar imbalance të mëdha në rrjetin evropian të transmetimit, për shkak të hendekut ndërmjet konsumit dhe energjisë së siguruar nga operatorët.

Ata kanë thënë se aktualisht, rreth 40% e konsumit në Kosovë po tërhiqet nga sistemi interkonektiv i Evropës Kontinentale.

‘Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ENTSO-E (SwissGrid) si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE) trup i ENTSO-E kanë kërkuar në mënyrë strikte ndërprjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian. Derisa monitoruesi i Bllokut AK në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen zonës rregulluese të Kosovës për situatën’, kanë shkruar KOSTT.

Ata kanë bërë thirrje për kursim të rrymës, ndërsa kanë kërkuar edhe mobilizimin e të gjitha palëve të licencuara në tregun e energjisë për të ndërmarrë masa në përputhje me përgjegjësitë e tyre.

‘Bashkërisht mund të ruajmë furnizimin stabil me energji elektrike dhe integritetin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës i cili tashmë 1 vit funksionon si zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut AK e integruar në zonën sinkrone të Evropës Kontinentale’, kanë thënë KOSTT.