Search

KOSTT shënoi Ditën Ndërkombëtare të Grave në Inxhinieri

23 Qershor, 2023


Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë, KOSTT, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave në Energji.

‘Me synim të përkrahjes dhe fuqizimit të mëtutjeshëm të punonjëseve të kompanisë sonë si dhe për të vlerësuar lartë kontributin dhe rolin e gruas në sektor të energjisë edhe këtë vit po i bashkohemi iniciativës ndërkombëtare International Women in Engineering Day/Dita Ndërkombëtare e Grave në Inxhinieri #INWED, e cila po shënon 10 vjetorin e fillimit të kësaj iniciative globale’, ka thënë KOSTT në komunikatën e publikuar.

KOSTT ka thënë se do të vazhdoj përpjekjet për rritjen e numrit të grave të punësuara në këtë sektor nga 9% sa është tani në 25%, në pajtim me Strategjinë Kombëtare të Energjisë.

’Sot, ne po nderojmë të gjitha gratë në inxhinieri që kanë hapur rrugën për brezat e ardhshme, duke sfiduar pritshmëritë e shoqërisë. Gratë inxhiniere janë pjesë e pandarë e sukseseve të kompanisë sonë, andaj le të shërbej kjo ditë si një testament për arritjet tuaja dhe frymëzim për gjeneratat e reja që do të ndjekin gjurmët tuaja’, ka thënë në ngjarjen e organizuar Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Evetar Zeqiri.