Search

Kosova themelon Këshillin Kombëtar për Ndryshime Klimatike

13 Janar, 2022


Në mbledhjen e fundit të Qeverisë është miratuar propozim vendimi për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike.

Këshilli do të jetë përgjegjës për përcjelljen e zbatimit të dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit për ndryshime klimatike, në përputhje me angazhimet në kuadër të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike, Marrëveshjes së Parisit, si dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

“Në kuadër të funksionit të tij, qëllimet kryesore të Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike janë: sigurimi i projekteve që mund të kenë ndikim në ndryshimet klimatike të cilat do të realizohen në përputhje me legjislacionin vendor dhe marrëveshjet ndërkombëtare; përgatitja e dokumentacioneve të nevojshme për pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës në konventa, protokolle dhe marrëveshje që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike; monitorimi i gjendjes, zhvillimit dhe zbatimit të politikave kombëtare në fushën e ndryshimeve klimatike, politikave sektoriale dhe dokumenteve tjera të planifikimit; propozimin e masave për zbatimin, koordinimin dhe përmirësimin e politikave në fushën e ndryshimeve klimatike, në përputhje me rregulloret dhe standardet e Bashkësisë Evropiane (BE) dhe të Kombeve të Bashkuara (KB), si dhe propozimin për vendime të rëndësishme për zbatimin e projekteve përkatëse dhe aktiviteteve tjera në fushën e ndryshimeve klimatike’, ka thënë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në komunikatën për media.

Këshilli do të përbëhet nga një numër Ministrash ndërsa do të kryesohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në kuadër të Këshillit do të funksionojë edhe Sekretariati Teknik, i përbërë nga përfaqësues të departamenteve të Ministrive të ndryshme, IKSHP, shoqëria civile, Universiteti dhe UNDP.