Search

Korporata Energjetike e Kosovës i ka borxh asaj të Shqipërisë edhe mbi 44 mijë megavatë energji

11 Prill, 2024


Afër nëntë mijë e 500 megavatë energji elektrike, i ka marrë Korporata Energjetike e Kosovës, nga ajo e Shqipërisë, në periudhën shtator-shkurt. Ndërsa, i ka dërguar matanë kufirit mbi 25 mijë megavatë.

Por, pavarësisht këtij bilanci nga shkëmbimi energjetik, KEK-u ende i mbetet borxh KESH-it. Sipas të dhënave dërguar ATV-së, prodhuesit kosovar të rrymës i duhet t’i kthejë edhe mbi 44 mijë megavatë, që i ka marrë nga Shqipëria kur ka pasur nevojë për energji shtesë.

Sipas KEK-ut, borxhi ndaj KESH-it do të kthehet në muajt vijues, varësisht nga mundësitë.

Njohësi i energjisë nga Shqipëria, Azmer Duleviç, thotë se ky borxh do të ishte ideal të kthehej gjatë verës, kur atje bie prodhimi.

“Shqipëria ka specifikë, duke qenë se prodhimin e energjisë e ka hidro. Në periudhën e verës, që vjen pas disa javësh, të fillojë marrja mbrapshtë e energjisë që i ka dhënë KEK-ut”, tha Duleviç.

Në anën tjetër, njohësit kosovarë nuk i shohin problem shifrat e borxhit. Vetëm se Lulzim Syla thotë se varet sa do të ketë mbulim të konsumit vendor, gjatë muajve të nxehtë.

“Shumë çon peshë kapaciteti konsumues, sepse gjatë verës, me ardhjen e diasporës, rritet konsumi i energjisë, industria punon më tepër. Varësisht nga këto parashikime, unë besoj se do të ketë mundësi të kthimit të një pjese që të zvogëlohet ky disbalanc i shkëmbimit energjetik”, tha Syla.

Këmbimi i rrymës ka efekt pozitiv financiar, sipas Naim Bujupit, meqë nuk ka nevojë për shpenzime.

“Varësisht nga marrëveshja, kur na nevojitet, ata na e kthejnë, megavatë për megavatë. Nuk kemi të bëjmë me çmim të energjisë, por një megavat na japin, një e kthejmë”, tha Bujupi.

Korporatat e Kosovës dhe Shqipërisë kanë marrëveshje që ta huazojnë energjinë, kur njëra ka mungesë, e tjetra tepricë. Ky bashkëpunim, e kishte ndihmuar Kosovën gjatë krizës energjetike, për t’i shmangur reduktimet.