Search

Kompanitë fotovoltaike evropiane janë në krizë – Konkurrenca e fortë nga Kina po i detyron të mbyllen, ose të zhvendosen

19 Prill, 2024


Kapaciteti i burimeve të energjisë së ripërtëritshme po rritet me ritme rekord në Evropë, e cila po “vrapon” për të zbatuar objektivat e tranzicionit të gjelbër.

Megjithatë, prodhimi i paneleve diellore në Gjermani, e cila deri një dekadë më parë ishte lider botëror në industri, po zvogëlohet vazhdimisht, duke bërë që ata në industrinë diellore ose të pushojnë nga puna stafin dhe të mbyllen, ose të zhvendosen në anën tjetër të Atlantikut.

Arsyeja, natyrisht, është konkurrenca e fortë nga Kina, e cila prodhon sasi të mëdha panelesh të lira që hyjnë në tregun ndërkombëtar duke “shtypur” industrinë gjermane fotovoltaike. “Lojtarët” e industrisë evropiane e kanë theksuar këtë çështje shumë kohë më parë dhe po kërkojnë masa mbështetëse të një shkalle të ngjashme me ato të aplikuara në Kinë dhe SHBA, duke krijuar terren pjellor për zhvillimin e prodhimit. Mirëpo, çështja në Kontinentin e Vjetër ka “ngrirë”, edhe pse njëra pas tjetrës fabrikat po mbyllin dyert përgjithmonë ose po zhvendosen në SHBA, duke lënë prapa qindra të papunë.

Situata paraqet një dilemë për qeveritë evropiane që kërkojnë të trajtojnë ndryshimet klimatike: ose të ofrojnë më shumë mbështetje në mënyrë që prodhimi vendas të mbetet konkurrues. Apo të lejojë që importet e pakufizuara të rrjedhin pa probleme në mënyrë që të ruajnë shkallën e lartë të instalimeve diellore.

Për momentin, megjithatë, Kina planifikon të zgjerojë industrinë, megjithëse tashmë zotëron 80% të prodhimit ndërkombëtar. Kostoja në Kinë është rreth 12 cent për vat energji të prodhuar krahasuar me 22 cent në Evropë.

Për më tepër, në SHBA falë Aktit për Reduktimin e Inflacionit disa prodhues dhe kontraktorë kanë të drejtë për lehtësime tatimore, duke tërhequr biznesin nga BE-ja.

Nisur nga shtrirja e problemit, shoqata e prodhuesve ‘Solar Power Europe’ po propozon një ‘kartë’ për të mbështetur industrinë fotovoltaike, të cilën qeveritë dhe bizneset mund ta nënshkruajnë si shenjë e vullnetit politik për të përmirësuar kushtet konkurruese.

/SCAN