Search

“Kolonializmi” i gjelbër në Afrikë – Emetimet e perëndimit dhe pasojat në jugun e varfër

12 Dhjetor, 2023


Tregtimi i karbonit – një mjet i vlefshëm për trajtimin e ndryshimeve klimatike për disa, i diskutueshëm për të tjerët – hap rrugën për shfrytëzimin e Afrikës, duke çuar në një lloj të ri kolonializmi.

Të drejtat për një pjesë të madhe të pyjeve afrikane po shiten në një seri marrëveshjesh të kompensimit të karbonit, duke ngritur shqetësime për të ardhmen e Afrikës dhe burimet e saj të çmuara. Rast i tillë është shembulli i Blue Carbon, një mjet investimi privat me bazë në Dubai, i cili është në negociatat përfundimtare për një marrëveshje “të gjelbër” me Liberinë dhe vende të tjera afrikane.

Pasi të finalizohet, Monrovia do t’i japë Blue Carbon të drejtat për rreth 2.5 milionë hektarë pyje – 1/10 e sipërfaqes totale të vendit për një periudhë 30-vjeçare. Kompania do të ‘vjelë’ të ardhurat e karbonit nga emetimet e supozuara të kursyera duke mbrojtur dhe restauruar këto pyje, të cilat më pas do t’u shiten ndotësve të mëdhenj, sipas një kuadri të papërfunduar të kontabilitetit ndërkombëtar që po hartohet nga OKB-ja. Negociatat e gjigantit përfshijnë marrëveshje të mundshme për një të pestën e Zimbabvesë, si dhe zona të Kenias, Zambias dhe Tanzanisë, të cilat janë strehë kritike të jetës së egër dhe pika të nxehta të biodiversitetit.

Tregtimi supozohet të jetë i thjeshtë. 195 vendet që nënshkruan Marrëveshjen e Parisit për Klimën në 2015 u zotuan të përcaktojnë objektiva për të reduktuar emetimet e karbonit deri në vitin 2030. Nëse një vend i tejkalon këto ose objektivat e ardhshëm – për shembull duke kaluar në energji të rinovueshme ose duke ripyllëzuar tokat që rrisin rezervat e karbonit – mund t’i shesë këto në një vend tjetër.

Tregu ekzistues ndërkombëtar për kreditë e karbonit vlen rreth 2 miliardë dollarë, me rreth 4 në 10 kredite të shitura bazuar në projektet e restaurimit të natyrës. Blerësit privatë mund të blejnë kompensimet e tyre të emetimeve për të përmbushur objektivat e tyre të reduktimit, me ndihmën e ndërmjetësve si Blue Carbon. Deri vonë, qeveritë janë distancuar nga blerja dhe shitja direkt në këtë treg. Por ndërsa objektivat kombëtare të reduktimit të emetimeve bëhen më të ngutshme, futja e kredive të karbonit bëhet gjithnjë e më tërheqëse.

Korea e Jugut, Zvicra, Japonia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singapori janë ndër shtetet që kanë nënshkruar 475 marrëveshje paraprake për të blerë reduktime të ardhshme të emetimeve nga vende si Gana, Vietnami dhe Senegali nga fillimi i vitit 2021, sipas të dhënave nga MSCI Carbon Markets. Një ‘shpërthim’ i kredive të karbonit mund të dërgojë para në vendet më të varfra me gjurmë më të vogla karboni dhe nevoja më të mëdha ekonomike për t’i ndihmuar ata të përballen me efektet e ndryshimeve klimatike.

Madhësia dhe shpejtësia e tregtisë ‘të gjelbër’ midis vendeve ka nxitur shqetësimet për mungesën e kornizave mbrojtëse. Vendet që japin tokën nuk kanë kohë të mjaftueshme për të zhvilluar një strategji të burimeve natyrore që do të nxiste tregtinë e drejtë të kredive të karbonit, paralajmërojnë aktivistët.

/SCAN