Search

KESCO me apel për kursim të energjisë elektrike – mungesa e gjenerimit shkakton import me miliona euro

April 10, 2025


Ditëve të fundit, Kosova po përballet me një rritje të ndjeshme dhe të paparashikueshme të kërkesës për energji elektrike, duke arritur nivele deri në mbi 1000MWh, KESCO bënë thirrje për kursim të energjisë.

Për shkak të rënies së temperaturave, kjo kërkesë është dukshëm më e lartë krahasuar me periudhat tipike të pranverës, kur konsumi zakonisht është më i ulët për shkak të kushteve më të favorshme klimatike.

Furnizuesi i energjisë, KESCO, ka njoftuar se kapacitetet vendore të prodhimit aktualisht janë të kufizuara dhe arrijnë deri në 500MWh për çdo orë. Për rrjedhojë, një pjesë e konsiderueshme e konsumit duhet të sigurohen përmes importit nga tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike. Çmimet e tregut janë aktualisht të larta, duke kapur shifrat mbi 100€/MWh. Kjo ka bërë që kostoja shtesë për të siguruar energjinë e munguar të shkojë në miliona euro. Këtë KESCO e përshkruar si një një barrë e rëndë për sistemin energjetik.

„I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal në përdorimin e energjisë elektrike dhe të kontribuojnë në mënyrë aktive në kursimin e saj. Përdorimi racional i energjisë është jo vetëm një akt përgjegjësie qytetare, por edhe një nevojë emergjente për të ruajtur stabilitetin energjetik dhe për të ulur kostot për vendin.“, thuhet në apelin e KESCO.

Ata kanë rekomanduarë shmangien e përdorimit të pajisjeve që shpenzojnë shumë energji elektrike, veçanërisht atyre të ngrohjes gjatë orëve të pikut, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet sa më lehtë.