Istog: Inicohet një park ie ri solar prej 3MW
February 26, 2025

Elen Energy, një nga kompanitë më të njohura në sektorin e energjisë së rinovueshme në Kosovë ka fituar projektin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet prej 3MW.
Ky projekt është një investim i rëndësishëm i kompanisë SVB dhe jo vetëm që do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të energjisë së pastër në Kosovë, por edhe do të sjellë përfitime të mëdha për komunitetin dhe ekonominë lokale.
Elen Energy ka një histori të gjatë dhe të suksesshme në ndërtimin e sistemeve solare në Kosovë dhe në rajon. Me dhjetëra projekte të realizuara dhe një përvojë shumë vjeçare.
Me këtë projekt të ri, Elen Energy do të instalojë 3MW kapacitet solar në Istog, duke shfrytëzuar teknologjinë më të avancuar në këtë fushë. Përdorimi i paneleve me efiçiencë të lartë dhe sistemeve të menaxhimit inteligjent do të sigurojë prodhim maksimal të energjisë, me një ndikim minimal në mjedis.
Ky projekt është bërë i mundur falë investimit të kompanisë SVB. Duke parë potencialin e madh të energjisë diellore në vend dhe nevojën për diversifikimin e burimeve energjetike, SVB ka vendosur të investojë në këtë impiant solar në Istog, duke i besuar realizimin e tij Elen Energy-t.
Investimi i SVB në këtë projekt është një tregues i qartë se energjia diellore është duke u bërë gjithnjë e më e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe për të ardhmen energjetike të Kosovës. Me mbështetjen e investitorëve të tillë, vendi po ecën drejt një modeli më të qëndrueshëm dhe të pavarur energjetik.
Ky investim do të sjellë disa përfitime të drejtpërdrejta për Kosovën:
- Rritja e prodhimit të energjisë së pastër – Projekti do të ndihmojë në reduktimin e varësisë nga burimet tradicionale të energjisë dhe në uljen e ndotjes mjedisore.
- Krijimi i vendeve të reja të punës – Gjatë fazës së ndërtimit dhe operimit, ky projekt do të krijojë mundësi punësimi për profesionistë të ndryshëm nga fusha e inxhinierisë, ndërtimit dhe mirëmbajtjes.
- Përfitime ekonomike – Investimi në energji të rinovueshme do të ndikojë pozitivisht në ekonominë lokale, duke sjellë investime të reja dhe duke përmirësuar infrastrukturën energjetike të vendit.
Në komunën e Istogut që nga viti 2016 në operim është një park solar me kapacitet prej 500kW në afërsi të Banjës së Pejës.
/Telegrafi