Ish ministri Çeku paralajmëron rritjen e paevitueshme të çmimit të energjisë – Bizneset kundërshtojn
March 03, 2025

Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, konsideron se çmimi i energjisë elektrike do të rritet deri në 15%. Në anën tjetër Lidhja e Bizneseve të Kosovës, LBK, kundërshtuar rritjen e tarifave, thotë se kjo pritet të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit dhe në sektorin privat.
Debati për rritje të mundshme të rrymës ka filluar pasi tri kompanitë energjetike në Kosovë, KEDS, KESCO dhe KOSTT, kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji ngritjen e çmimit të tarifave të energjisë elektrike për shkak të importit të energjisë elektrike.
Në intervistën për REL-in, ai tha se për të zvogëluar sasinë e importit, Kosova duhet të rrisë prodhimin vendor, sidomos përmes energjisë alternative.
“Realisht, Kosova po përballet me mungesë të energjisë. Dimrit, që jemi aktualisht, patëm mungesa të mëdha në furnizim të qytetarëve me energji elektrike.
Kjo vjen si pasojë e mungesave të mëdha në investime, do të thotë ne nuk kemi ndërtuar kapacitete të reja energjetike.
Ato të cilat janë ndërtuar, janë kryesisht solare dhe janë me kapacitete të vogla, janë të pamjaftueshme, edhe me erë ato që janë – janë të pamjaftueshme për ta furnizuar Kosovën në mënyrë të rregullt me energji elektrike”, tha ai.
Çeku ka folur edhe për kërkesën e kompanive që të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.
“Unë besoj që zyra [ZRRE] duhet të analizojë me kujdes, nuk duhet ta pranojë rritje për 35%, se është rritje shumë e madhe e energjisë elektrike. Qeveria duhet të ofrojë subvencione, pra ndihmesë që të mos ngarkohet qytetari, megjithëse ato janë para të buxhetit.
Po bëjmë një lojë, një sjellje atje. Unë besoj që nuk duhet ta kalojë mbi 15% e rritjes së tarifave të energjisë. Zyra e Rregullatorit nuk duhet ta pranojë shifrën prej 35%.
Se a do të jetë rritja e domosdoshme, Çeku tha “Normalisht, nuk mund t’i ikim. Nuk mund të ikin. Ky është koncept i gabuar që e kanë instaluar partitë politike, Qeveria aktuale që ka thënë se ‘kur të vij unë në pushtet, kurrë s’e rriti (çmimin) e energjisë’. Në fushën e energjisë, të përmbysë revolucioni energjetik, nuk njeh qeverisje, se nuk varet prej teje, varet nga tregjet, nga bursat atje, në kohën e COVID-it, pastaj në vitin 2022 dhe 2023, arriti deri në 700€ megavati”.
Qytetarët dhe bizneset të shqetësuar seriozisht nga rritja e çmimeve
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me kërkesën e KESCO-s, KOST-it dhe KEDS-it drejtuar ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të rëndojë ndjeshëm bizneset prodhuese dhe ato të shërbimeve, duke rritur kostot operative dhe duke ulur konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të Kosovës si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Një vendim i tillë do të krijojë një efekt zinxhir, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe në fuqinë blerëse të qytetarëve”, thuhet në reagimin e LBK, transmeton Telegrafi.
Tutje LBK thekson se një rritje e tillë e tarifave do të detyrojë bizneset të përballen me kosto shtesë, gjë që mund të çojë në rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, ulje të investimeve dhe, potencialisht, humbje të vendeve të punës.
“Kjo do të ndikojë negativisht në stabilitetin ekonomik dhe në zhvillimin e sektorit privat në Kosovë. Nëse rritja e çmimit të energjisë bëhet realitet, bizneset do të detyrohen të rrisin çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke krijuar vështirësi për sektorin privat. Për më tepër, një situatë e tillë mund të ndikojë në uljen e eksporteve dhe në zvogëlimin e interesit të investitorëve të huaj për tregun tonë”.
“Lidhja e Bizneseve të Kosovës i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të rishikojnë këtë propozim dhe të shqyrtojnë alternativa të tjera që nuk do të rëndojnë më tej bizneset dhe ekonominë e vendit. Prandaj, është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë me kujdes këtë çështje dhe të sigurojnë që bizneset të mos përballen me një barrë të papërballueshme financiare”.
Në fund të komunikatës thuhet se “LBK do të vazhdojë të mbrojë interesat e sektorit privat dhe të angazhohet për politika të qëndrueshme ekonomike që nxisin zhvillimin dhe stabilitetin afatgjatë të Kosovës”.
/Telegrafi