Search

Infrastruktura e gazit po liron metan në gjithë Evropën, BE të vendosë rregulla të reja për emetime të metanit

28 Qershor, 2021


Një ndër gazrat serrë më të rrezikshëm që po përkeqëson në vazhdimësi ndryshimin klimatik, metani, sipas raportimeve është duke u liruar nga infrastruktura e gazit për gjatë gjithë Bashkimit Evropian për shkak të rrjedhjeve dhe lirimit të gazit në tubacionet e transportimit të gazit.

Pamjet janë kapur në video dhe janë vënë në dispozicion të Reuters, ku është raportuar që përmes një kamere infra të kuqe në vlerë prej 100,000 euro, OJQ Clean Air Task Force (CATF), ka gjetur sasi të metanit duke u liruar në atmosferë në 123 njësi të naftës dhe gazit në Austri, Çeki, Gjermani, Hungari, Itali, Poloni dhe Rumani këtë vit.

Metani, një ndër gazrat serrë kryesorë që po shkakton ndryshimin klimatik, mbi 80 herë më i fuqishëm, se CO2 në 20 vitet e para në ajër, është një ndër përbërësit kryesor të gazit natyral.

Mirëpo, aktualisht Bashkimi Evropian nuk rregullon emetimet e metanit në sektorin e energjisë, duke lënë të kuptuar që kompanitë që operojnë njësitë e vëzhguara nga CATF nuk janë duke thyer ligjin ndonëse infrastruktura e tubacioneve është duke lejuar rrjedha dhe lirime të gazit.

Disa shtete anëtare të BE u kërkojnë kompanive raporte rreth emetimeve, mirëpo, nuk ekziston një kornizë gjithëpërfshirëse që i detyron ato të monitorojnë rrjedha të vogla gjatë tubacionit, apo edhe që të sanojnë këto të fundit, ka bërë të ditur Reuters.

BE të vendos rregulla që detyron kompanitë të raportojnë për emetimet e metanit, dhe të përmirësojnë zbulimin dhe riparimin e rrjedhave

Në ndërkohë Bashkimi Evropian këtë vit është duke propozuar ligje që do të detyrojnë kompanitë e naftës dhe gazit që të monitorojnë dhe të raportojnë emetimet e metanit, sidhe të pëmirësojnë zbulimin dhe riparimin e rrjedhave të metanit.

Në sektorin e energjisë, metani emetohet në masë të madhe përmes rrjedhave nga vrima të vogla në tubacione apo edhe aksidentalisht nga njësi siç janë rezervuarët për ruajtje të gazit, terminalet e gazit natyral të lëngshëm, stacionet e kompresorit të tubacionit dhe vendet e përpunimit të naftës dhe gazit.

Tutje, sipas Reuters, CATF ka vizituar më shumë se 200 hapësira në shtatë vende anëtare të BE dhe ka filmuar emetime me kamerën infra të kuqe në pikat e favorshme publike për të zbuluar hidrokarbure të padukshëm me sy të lirë, të tilla si metani.

“Nëse kemi ndonjë shpresë për të arritur 1.5 shkallë Celsius në rritje mesatare të temperaturave botërore, ne duhet t’i ndalojmë këto rrjedha”, ka thënë James Turitto nga CATF.

Në total CATF ka numëruar 271 incidente, me disa hapësira duke liruar metan nga disa vende të ndryshme.

Turitto poashtu tha se 90 përqind e hapësirave që ka vizituar në Republikën Çeke, Hungari, Itali, Poloni dhe Rumani janë duke emetuar metan gjersa shkalla e rrjedhave të gjetura ishte më e ulët në Gjermani dhe Austri.

BE ka paralajmëruar kompanitë e sektorit të energjisë për emetimet e metanit, rregullat e reja do të adresojnë emetimet e “vogla dhe të shpeshta”

Në anën tjetër, Reuters raporton se Brukseli ka paralajmëruar kompanitë e energjisë në tetor të vitit të kaluar se do të adresojë këto të fundit me rregulla të reja për rrjedha të gazit teksa poashtu ka konsideruar restriksione të rrjedhave të gazit dhe djegieve të metanit.

“Komisioni Evropian bënë thirrje kompanive të sektorit të naftës, gazit dhe thëngjillit që të vendosin programe më të rrepta të zbulimit dhe riparimit për të përgatitur propozimet e rradhës për legjslacionin që do të bënte programe të tilla obligative”, kishte thënë BE raporton Reuters.

Tutje, një zyrtar i BE ka thënë për Retuers këtë muaj se për shkak se BE ka pak “super emetues” të metanit, legjislacioni do të fokusohet që të adresojë emetime më të vogla por më të shpeshta që ndodhin përgjatë infrastrukturës së sektorit të energjisë.

Reuters ka nënvizuar se rregullat e reja vështirë se do të kenë efekt para vitit 2023, mirëpo, Brukseli dëshiron që t’i vendos ato mjaft herët për të kontribuar në objektivin e saj për të ulur net emetimet e të gjitha gazrave serrë për 55 përqind deri në 2030, nga nivelet e regjistruara në 1990.

Për më tepër, Bashkimi Evropian nuk është e vetme në këtë çështje. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, planfikon që të propozojë rregulla të reja këtë vit në lidhje me emetimet e metanit.

//Reuters

Kosova pritet të përfitojë nga marrëveshja për gazin amerikan

Lexo më shumë

CAN Europe: Rrjeti i organizatave Evropiane kërkojnë të largohet përdorimi i gazit deri në 2035

Lexo më shumë