Search

IEEFA: Gazi natyror nuk është opcioni më i lirë për Kosovën

29 Tetor, 2020


Sipas raportit të ri nga Instituti për Ekonomi të Energjisë dhe Analizë Financiare (IEEFA), Kosova ka mundësi të shumta për të lëvizur përtej qymyrit, i cili siguroi 95% të energjisë elektrike vitin e kaluar.

‘Kosova tradicionalisht është mbështetur në linjit, cilësia më ulët e qymyrit, për shkak të rezervave të mëdha. Por Banka Botërore dhe Contour Global e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar kanë tërhequr mbështetjen financiare për një termocentral të ri me linjit, duke përmendur koston e tij të lartë krahasuar me burimet e ripërtëritshme’, thuhet në raport.

Kosova mund të mbyllë dy termocentralet më të vjetra të qymyrit; rritë efiçiencën në ndërtesa për të zvogëluar humbjet e energjisë; forcojë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike; të përmirësojë interkoneksionin me fqinjët e saj; dhe të bëjë reformat e tregut të energjisë elektrike.

“Vendi duhet të lëvizë përtej qymyrit për të siguruar të ardhmen e saj të energjisë”, tha Arjun Flora, bashkëautor i punimit Përtej Qymyrit: Investimi në Ardhmërinë e Energjisë së Kosovës.

IEEFA: Në Kosovë kërkesa për rrymë do të rritet

Lexo më shumë

Përvec mbylljes së termocentraleve, IEEFA thotë se edhe gazi natyror nuk ka gjasa të jetë opcioni më me kosto efektive për Kosovën, tani që vendi po shpreson të bëhet pjesë e infrastrukturës rajonale të transmetimit të gazit.

‘Vendi është i interesuar të lidhet me gazsjellësin Trans-Adriatik, i cili furnizon Ballkanin nga Azia, por Kosova nuk ka infrastrukturë e as treg gazi. Edhe para se të krijohej një infrastrukturë e tillë e kushtueshme, burimet e ripërtëritshme do të ishin gjerësisht konkurruese me prodhimin e gazit’, thuhet në raport.

“Mund të ketë kuptim që Kosova të kapërcejë drejtpërdrejt gazin, në një ekonomi të bazuar në burime të ripërtëritshme, me efiçencë të energjisë,” tha bashkëautori i raportit Gerard Ëynn.

Por, bashkë me këshillën për mbyllje të termocentraleve dhe kërkesën për të mos hapur termocentrale të reja, IEEFA vlerëson se kërkesa për energji elektrike do të rritet 20% gjatë dekadës, nga 6,000 GWh aktualisht, nxitur nga rritja e të ardhurave dhe elektrifikimi në rritje i sektorit të energjisë.

Rritja e parashikuar do të kërkojë gjenerimin prej 1,200 GWh shtesë çdo vit deri në vitin 2030.

IEEFA zgjidhjen e të ardhmës energjetike të Kosovës e mbështet në projekte të energjisë së ripërtëritshme.

Në raport, IEEFA thotë se kosto e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme duke kombinuar erën dhe burimet solare me bateri të ruajtjes së energjisë, është më e ulët se ajo e prodhimit të energjisë nga linjiti, përmes teknologjisë së re.

Biden paralajmëron fundin e përdorimit të gazit brenda 15 viteve, ndërkohë që Kosova synon gazin nga marrëveshjet e Uashingtonit

Lexo më shumë