Search

Aktivistët në mbrojtje të Parkut Kombëtar të Sharrit nga efektet e hidrocentraleve

08 Maj, 2024


Fushata që nisi në Shqipëri, për mbrojtjen e lumit Vjosa, për të cilin ngriti zërin edhe aktori i Hollywood-it Leonardo Di Caprio, është shtrirë edhe në Kosovë. Aktivistët kosovarë po synojnë mbrojtjen e Parkut Kombëtar Malet e Sharrit nga efekti i hidrocentraleve.

Egzona Shala – Kadiu, drejtoreshë e Organizatës EcoZ, thotë se do të përdorin të gjitha mekanizmat për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Sharrit prej dëmtimit nga hidrocentralet.

“Kampanja bëhet në kuadër të Save The Blue Heart of Europe, ne po provojmë me rujt zemrën e kaltër, lumenjtë e Evropës, së bashku me Riverwatch edhe me organizatat e ndryshme ndërkombëtare, si pjesë e kësaj kampanjës, të cilat janë nëpër shtetet e rajonit që kanë bo një impakt shumë pozitiv. Në Maqedoni kanë mbërri në të njëjtin park, me largu shtatë hidrocentrale, e ne po shpresojmë që edhe ne me i përdorë të gjitha mekanizmat ekzistues që janë përdorë edhe që do të përdoren të adaptueshëm për Kosovë, që me mbërrijtë me pasë sukses edhe me ndalu eksploatimin e ujit për nevoja të energjisë. Hidrocentralet nuk e kanë vendin në parqet e mbrojtura kombëtare”, shpehet ajo.

Edhe pse janë bërë premtime për të mbrojtur natyrën, sipas organizatës EcoZ katër hidrocentrale janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme brenda Parkut të Sharrit, duke rënë në kundërshtim me Ligjet për Mbrojtjen e Parqeve Kombëtare.

EcoZ, në bashkëpunim me Riverwatch, OJQ-të lokale dhe qytetarët e rajonit, po bëjnë thirrje për heqjen e këtyre strukturave që cenojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në ujë të pijes, cenimin e qindra llojeve shtazore dhe bimore, shëruese, mjekuese dhe esenciale për jetën e njeriut.

Organizata EcoZ dhe aktivistë nga rajoni ku shtrihet Parku Kombëtar Malet e Sharrit, u bashkuan në Brezovicë në një aksion simbolik, duke kërkuar që të mos ndërtohen hidrocentrale në parkun e mbrojtur me ligj.

“Kampanja është iniciuar fillimisht në Vjosë, në Shqipëri, në lumin Vjosa, ku është bo thirrja që Vjosa të shpallet Park Kombëtar. Fakti që ka mbërri që kampanja të jetë në 34 shtete të botës, qoftë në kontinentin e Afrikës, Amerikës dhe të Evropës, po ashtu edhe ka pasë një influencë të madhe ndër personat. e rëndësishëm, apo VIP-it, siç është edhe Leonardo DiCaprio, që e ka promovu kampanjën e tillë. Ne jemi kontaktu nga bashkëorganizatore që kampanjën e tillë ta shumëfishojmë edhe ta shtojmë edhe në Kosovë me thirrjen për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Sharrit kundër hidrocentraleve, të cilat gjenden këtu”, thotë Egzona.

Parku Malet e Sharrit në Kosovë ka 1010 kilometra katror dhe në të ajnë ndërtuar katër hidrocentrale: HC Sharri, HC Viça, HC Shtrpca dhe HC Brezovica. Mungesa e raporteve adekuate të vlerësimit të ndikimit në mjedis është vlerësuar në të gjitha hidrocentralet. Banorët vendas nga zona e Shtërpcës kanë organizuar më shume se 80 protesta, por zëri i tyre sipas Egzonës, u injorua nga qeveria dhe nuk u ndërmor asnjë veprim në këtë kauzë që 3 vite.

“Është brengosëse që premtimet janë harru, dhe nga Ministri Liburn Aliu, edhe nga Kryeministri, edhe nga deputetët tjerë, përkatësisht Qeveria aktuale, të cilët më herët kanë lobu edhe avoku edhe me neve, dhe krahas qytetarëve dhe aktivistëve tjerë për këtë park. Sharri është park kombëtar dhe nuk do të duhej të kishte hidrocentral në të. Kemi kërkuar nga kryeministri, 50 organizata janë bo bashkë dhe i kemi kërku takim, m’i tregu për rastin e lejes mjedisore dhe m’i tregu për situatën e lumenjve tanë dhe të parqeve kombëtare. Nuk kemi reagim, qoftë edhe për një takim prej tij, prej ministrisë është kundër-reagim, domethënë veç fakti që ju jepen lejet mjedisore nuk jemi ftuar absolut, në fillimet e para po, jemi marrë në konsideratë si aktivista, si qytetarë që jemi dëgjuar dy-tri javët e para dhe mandej ka ndërruar totalisht qasja e institucioneve tona ndaj neve”, shprehet Egzona Shala Kadiu.

Sipas EcoZ gjatë ndërtimit të Hidrocentraleve në zonën e Parkut Kombëtar Sharri, janë evidentuar shkelje të mëdha ligjore që rrezikojnë jo vetëm mjedisin natyror, por edhe jetën e komunitetit lokal.

“Qe pesë vite së bashku me banorët jemi nëpër protesta, nëpër gjykata, nëpër padi, po mendoj nëpër procedura të ndryshme që ta mbrojmë parkun e Sharrit edhe për largimin e hidrocentraleve që gjenden në këtë zonë. Kjo ne e quajmë letër aksion apo aktiviteti me shkronja, është vetëm njëri ndër aktivitetet e kësaj kampanje, i cili ka për synim që na me mbërri tek mediat ndërkombëtare, tek institucionet ndërkombëtare, tek Bashkimi Evropian edhe tek bota, tek individët e tjerë, po me theks të veçantë që t’i nxisim institucionet tona që të marrin hapa konkretë në ruajtje të parkut kombëtar e që parimisht për thirrjen kryesore që i kemi largimin e hidrocentraleve që gjenden në këtë park, ku aktualisht gjenden katër hidrocentrale në këtë zonë të parkut. Edhe banorët, edhe biodiversiteti i kësaj zone është në rrezik për ujin e pijes, i cili është kushti dhe elementi kryesor që e mban këtë park të gjallë dhe këtë biodiversitet kaq të pasur, sepse parku i Sharrit ka lloje bimore dhe lloje shtazore shumë të pasura që i dhurojnë Kosovës, konsiderohen si mushkëritë e Kosovës, që i dhurojnë një ambient të pastër dhe një ujë të pastër e një ajër kualitativ për neve”, thotë ajo.

Ndër aktivistët e parë kundër hidrocentraleve në këtë zonë është Visar Emrullahu. Ai thotë se filloi këtë protestë i vetëm, por shumë shpejt iu bashkuan edhe organizatat të cilat tashmë po e dërgojnë përpara këtë aktivizëm.

“E kam nisë me një iniciative vetanake, por shumë shpejt na janë bashkangjitë organizata EcoZ e të tjera. Atëherë pas gjithë kësaj ka dalë edhe grupi EcoZ, pastaj grupi për mbrojtjen e lumenjve, të cilën kanë suportu dhe bashkërisht me gjithë këta ne sado kudo kemi arritur që t’i sensibilizojmë opinionin dhe më gjerë, për padrejtësitë, të cilat janë duke i bërë natyrës në këtë zonë”, shpehet Visari.

Ndërsa për këtë kauzë shumë vjeçare, ai kërkon edhe bashkëpunimin institucional, duke theksuar që dikur i kishte përkrahës ata që sot po e anashkalojnë çështjen e hidrocentraleve në këto zona malore.

“Çka është shumë e çuditshme është që pikërisht ministrin e tashëm, me zotëri Aliun, si dhe disa deputetë e tjerë të cilët ë gjithmonë kanë qenë në petkun e ambientalistëve dhe që dikur, kur ata ndoshta ishin dhe opozitë, na u bashkëngjitnim, bile e kam pas një aktivizëm shumë të shprehun dhe çfarë është shumë e çuditshme, tash një gjë e tillë nuk po vërehet dhe që kauza po mbetet po e njëjta dhe që ne për me arritë në atë sukses të cilin ne e kemi planifiku të gjithë së bashku, ata si duket e kanë lënë pak pas dore këtë punë dhe ne aktivistët kemi ngelur stoikë në qëndrimet tona”, thotë ai.

Këta aktivistë të mjedisit, u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkohen në kauzën e gjelbër ndërsa institucioneve në ruajtjen e parkut kombëtar.

“Nuk na mjafton veç me dashtë mjedisin edhe me u deklaru që e dojmë. Ajo çfarë na po provojmë me bo është se çdo politikani që premton për mjedisin që ka me ndërmarrë veprime duhet me i mbajë ato premtime përndryshe qytetari e vlerëson me votën e tij, me fuqinë e tij dhe me format të cila ai i sheh të arsyeshme”, shprehet Egzona.

“Malet e Sharri janë mushkëritë e Kosovës dhe si të tilla janë përgjegjësi e jona të kujdesemi për to”, thotë Visari.

Ndërsa evidentojnë se cilat ligje janë shkelur me rastin e ndërtimit të hidrocentraleve, aktivistët premtojnë se do të qëndrojnë afër me banorët e kësaj zone dhe në mbrojtje të zemrës blu të Parkut Kombëtar Malet e Sharrit.

/Katror.info