Search

Hoti thërret Qeverin të ndjek shembullin e Britanisë – Të ulen taksat për energji

July 24, 2026


Sipas ish kryeministrit dhe deputetit të i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit,  Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve.

Hoti në një postim në Facebook shkruan se me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë, gjersa në Kosovë ndodh e kundërta.

“Me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë. Një masë e tillë është marrë më herët edhe nga disa qeveri të Bashkimit Evropian. Në Kosovë ndodh e kundërta. Jo që nuk janë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë, por energjia është shtrenjtuar disa herë. Edhe për naftën, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është reflektuar drejtpërdrejt te konsumatori. Meqë TVSH-ja llogaritet mbi çmimin e produktit, sa më i lartë çmimi i naftës, aq më e lartë është edhe shuma e TVSH-së që paguan qytetari. Përmes vendosjes së çmimit maksimal ditor, Qeveria zyrtarisht e ka bartur tek konsumatori i fundit rritjen e çmimit të furnizimit të naftës.” thuhet në njoftimin e Hotit.

Sipas tij, kur çmimet e shërbimeve elementare, si energjia, rriten, qytetarët detyrohen të ulin shpenzimet në: arsim, shëndetësi, cilësinë e ushqimit, kulturë e rekreacion. Gjë që mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata, sidomos për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

“Në situata të tilla është jetike roli i shtetit për të parandaluar uljen e konsumit të familjeve për të mira elementare. Një qeveri e përgjegjshme këtë e bën duke marrë përsipër një pjesë të rritjes së kostos së jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore për familje. Ulja e barrës tatimore sot është më e lirë për shtetin sesa kostoja që do të paguajmë nesër për familjet që sot detyrohen të heqin dorë nga shumë nevoja, duke e dëmtuar kështu zhvillimin afatgjatë të anëtarëve të tyre.” është shprehur Hoti.

Për ndryshme, qeveria e kryeministrit të ri britanik Andy Burnham do të ulë taksat mbi faturat e energjisë elektrike, tha Downing Street në një deklaratë të martën, ndërsa ai përpiqet të përmbushë premtimet e tij për të lehtësuar krizën e kostos së jetesës.

Më saktësisht qeveria britanike po planifikon të heqë taksën mbi vlerën e shtuar (TVSH) nga faturat e energjisë elektrike vendase nga 1 tetori.

Si kryeministri i ri i Britanisë, Burnham dëshiron të veprojë shpejt për të treguar se politika britanike mund të funksionojë dhe të përmirësojë standardet e jetesës pas viteve të stagnimit.

“Westminster nuk ka punuar për njerëzit për një kohë shumë të gjatë, me familje që përballen me koston e jetesës. Kjo duhet të ndryshojë”, tha Burnham.
/Telegrafi