Search

Hoti: Përmes SHBA-ve mundësohet ndërtimi i një elektrane të prodhimit të energjisë me gaz

02 Shtator, 2020


Një numër projektesh energjetike do të jenë pjesë e agjendës së delegacionit Kosovar në Washington para takimit të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, ka konfirmuar Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën.

Në listën e projekteve që do të diskutohen, sipas Kryeministrit Hoti, është edhe projekti i ndërtimit të termocentralit të ri me gaz në Kosovë, që ka për qëllim të mundësojë furnizimin stabil me energji elektrike në Kosovë.

“Nesër fillojmë me takimin në MCC ku diskutojmë pakon e projekteve që janë negociuar tash e disa kohë me MCC-në që janë kryesisht projekte të fushës së energjetikës të cilat mundësojnë që Kosova në të ardhmen të jetë plotësisht e pavarur në tregun e energjisë. Problemi kryesor në zhvillimin ekonomik në Kosovë është mungesa e furnizimit stabil me energji elektrike. Përmes këtyre projekteve neve na mundësohet që të shkojmë përpara me projektin e gazsjellësit që vjen nga Maqedonia, ndërtimi i një elektrane të prodhimit të energjisë me gaz dhe projekti anësor i kësaj që është akumulimi i energjisë në kohë të lëvizjeve të energjisë në treg”, tha Kryeministri Hoti.

Ndryshe, edhe më herët Amerikanët kishin vlerësuar se Kosovës i nevojitet stabilitet dhe prodhim i mjaftueshëm i energjisë elektrike për të siguruar pavarësinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.

Teksa po diskutohej për ndërtimin e termocentralit të ri me qymyr në Kosovë, Philip Kosnett, Matthew Palmer dhe Eliot Engel ishin të zëshëm në përkrahje të ndërtimit të tij, anipse ndërtimi po kundërshtohej nga një pjesë e shoqërisë civile.

Sipas tyre, termocentrali i ri do të bëjë revolucion në ekonominë e Kosovës deri sa ndërtimi i tij është ndër të vetmet alternativa për të siguruar siguri nacionale, stabilitet energjetik dhe mbrojtje për mjedisin.

Ndryshe, operimi i centralit me gaz për prodhim të energjisë elektrike në Kosovë është i mundshëm vetëm pas zgjerimit të rrjetit ekzistues transmetues nga vendet fqinje për të mundësuar kyqjen e Kosovës.

Sipas studimeve të fundit të fizibilitetit, ndërtimi i një linje të transmetimit të gazit nga Shqipëria në Kosovë do të kushtojë rreth 211 milion euro. Për ndërtimin e kësaj linje, gjysma e shumës do të financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kyqja eventuale e Kosovës në infrastrukturën e transmetimit të gazit hapë rrugën për zhvillime të reja në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe ndërtimin e termocentralit për prodhimin e energjisë nga gazi.

Ndërtimi i termocentralit nga gazi është rreth pesëfish më pak i kushtueshëm se ndërtimi i të njejtit nga thëngjilli. Sipas studimeve, në botë në vitin 2018, ndërtimi i kapaciteteve prej 1 kilovatësh për prodhim të energjisë nga gazi ka kushtuar mesatarisht 520 mijë euro. Për të njejtat kapacitete por me burim thëngjillin, studimet tregojnë shifra pesëfish më të larta, – 3 milion euro.

Kësisoji, ndërtimi i një termocentrali me burim gazin me kapacitet prej 1000 megavatësh kushton rreth 520 milionë euro, deri sa për të ndërtuar termocentral me të njejtin kapacitet por me burim thëngjillin, kostoja do të ishte rreth 3 miliard euro.

Përveç kostos së ulët të ndërtimit, termocentrali nga gazi sjellë edhe më pak dëme në mjedis, krahasuar me termocentralet nga thëngjilli. Studimet thonë se një termocentral i ri me burim gazin natyror emeton 50 deri në 60 përqind më pak dioksid të karbonit (CO2) krahasuar me emetimet e një termocentrali të ri me thëngjill.

Në mungesë të rezervave të gazit dhe në rast të ndërtimit të një termocentrali me gaz, prodhimi i rrymës do të varej edhe nga disponueshmëria dhe cmimi i gazit në tregje rajonale dhe globale.