Search

Gjermania ndalon planet për largimin e qymyrit për t’u ballafaquar me mungesën e gazit rus!?

06 Qershor, 2022


Vendet në Evropë janë duke anuluar mbylljen e termocentraleve me qymyr dhe duke rikthyer minierat për të parandaluar kolapsin energjetik në rast se Rusia vendos të ndërprejë furnizimin me gaz, raporton Balkan Green Energy News.

Kësisoji, Gjermania ka thënë se do të mbajë flotën e prodhimit të rrymës në ‘rezervë’ edhe pasi lejet e tyre operuese të përfundojnë.

Madje, ky vend është duke përgatitur edhe kornizën ligjore për ri-aktivizimin e termocentraleve me karburante fosile, të cilat normalisht duhej të ishin mbyllur këtë muaj, kanë thënë përfaqësues të mediave.

Përmes kësaj mase emergjente, Gjermania po synon të kompensojë mungesën e mundshme të gazit të lëngshëm natyror për termocetnralet me gaz, nëse Rusia ndërpret furnizimin me këtë lëndë.

Gjermania do të zëvendësojë gazin në prodhimin e energjisë elektrike në raste urgjente me qymyr

Lexo më shumë

Burimet kanë thënë se përkundër kësaj, Gjermania është ende e zotuar të largojë të gjitha termocentralet me qymyr deri më 2030 dhe se vendi është duke përshpejtuar projektet e ndërtimit të terminaleve të gazit të lëngshëm natyror dhe të infrastrukturës së gazit.

Edhe termocentralet me naftë do të mbahen në gjendje gatishmërije

Legjislacioni i ri do të detyronte operatorët e termocentraleve të qymyrit të mbajnë nivele të larta të rezervave të qymyrit, për cka edhe do të kompensoheshin.

Duhet theksuar, se disa nga operatorët e njejtë ishin paguar pak kohë më parë nga qeveria gjermane në kuadër të skemës për të bërë të kundërtën, apo për të larguar qymyrin.

Për momentin, Gjermania ka në rezervë diku rreth 4.3 gigavat kapacitete të qymyrit në reserve, bashkë me kapacitetet e naftës që janë diku rreth 1.6 gigavat në total. Mediat në Gjermani njoftuan se planet e reja synojnë të vendosin në reserve rreth 26 objekte energjetike me një fuqi të kombinuar të instaluar prej rreth 8.5 gigavatësh

Pesë nga këto objekte përdorin linjitin, 15 qymyr të cilësisë më të lartë dhe gjashtë përdorin naftën si burim.

Kosova synon të shtojë 1400 MW energji të ripërtëritshme deri më 2031

Lexo më shumë

Përveç Gjermanisë, planet për rikthim të qymyrit janë rishfaqur edhe në shumë vende në Evropë. Italia, që kishte thënë se do të largojë qymyrin më 2025, tashmë ka vendosur të shtyjë operimin e katër termocentraleve tjera edhe për dy vite tjera, ndërsa synon të dekarbonizojë gjithë sektorin e energjisë deri më 2035.

Vendet e Evropës Juglindore gjithashtu po kthejnë termocentralet me qymyr

Rumania po rifillon termocentralin që kishte mbyllur pak kohë më parë për tu ballafaquar me mungesën e importeve nga Rusia, në anën tjetër, Greqia ka thënë se do të shtojë prodhimin e qymyrit për 50% këtë vit dhe se do të operojë me termocentralin që po ndërtohet, Ptolemaida 5, deri më 2028.

Komisioni Evropian ka thënë se pret që konsumi i qymyrit do të rritet për 5% për pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme, krahasuar me atë që kishte projektuar para fillimit të luftës në Ukrainë. Sipas një raporti nga TransitionZero, tranzicioni i energjisë në burime të ripërtëritshme, pa përdorur gazin si burim tranzicional, tashmë është shumë më pak i kushtueshëm.

Por, krahasuar me Evropën, Evropa Juglindore ballafaqohet me rreziqe më të mëdha të sigurisë energjetike, ka thënë Instituti për Energji për Evropën Juglindore (IENE).

Ndryshe, në strategjinë e re energjetike, Kosova ka paraparë investime për të shtyer jetëgjatësinë e termocentraleve me qymyr, dhe ka lënë anash planet për ndërtimin e termocentraleve të reja, raporton Kosovo.Energy.