Search

Fillon punimet konferenca e 2-të ndërkombëtare për energjitë e ripërtëritshme dhe teknologjitë e zgjuara

27 Qershor, 2024


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Dekani i FIEK, Prof. Dr. Isak Shabani bëjnë hapjen e konferencës së 2-të Ndërkombëtare për Energjitë e Ripërtëritshme dhe Teknologjitë e Zgjuara.

Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) po mbahet Konferenca e 2-të Ndërkombëtare për Energjitë e Ripërtëritshme dhe Teknologjitë e Zgjuara (REST 24).

Hapjen e kësaj konference e bënë Ministrja e Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli dhe Dekani i FIEK, Prof. Dr. Isak Shabani.

Ministrja Rizvanolli tha se, bashkëpunimi mes ekspertëve të akademisë, politikë-bërësve dhe sektorit privat është kritik për zhvillimin e sektorëve dinamik e inovativ si energjia. Teksa nisim procese të reja si ankandet e zhvillojmë teknologji inovative si kapacitetet akumuluese, është tejet e rëndësishme që të kemi të gjitha pikëpamjet, të dhënat e hulumtimet për hapat tonë në vijim, përfundoi ajo.

REST 24 bashkoi mendjet më të ndritura nga fusha e energjisë së ripërtëritshme dhe teknologjive të zgjuara, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe kërkimeve shkencore. Konferenca zgjatë dy ditë, sot dhe nesër ku pjesëmarrësit kanë mundësinë të dëgjojnë prezantimet e mbi 100 punimeve kërkimore që erdhën nga 25 shtete të botës e të cilët krijuan rrjete profesionale dhe zhvilluan diskutime mbi zhvillimet e fundit në këtë fushë.

Gjatë ditëve të sotme e të nesërme do të mbahen panele me temat: Teknologjitë e ruajtjes së energjisë, navigimi në energjinë e së nesërmes: Inovacionet dhe sfidat në sistemet e ardhshme të energjisë dhe burimet natyrore, fuqizimi i rrjetit, Eksplorimi i zgjidhjeve dinamike të fleksibilitetit për një sistem energjie elastik si dhe do diskutohen studime nga këto fusha.

Kjo ngjarje gjatë dy ditëve sa u zhvillohet, do të ofrojë një ambient frymëzues për shkencëtarët, inxhinierët, studentët dhe profesionistët që të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre.