Search

FedEx do të shpenzojë 2 miliardë dollar për ‘dekarbonizim’ deri në 2040

04 Mars, 2021


Kompania Amerikane e shërbimeve të postës, FedEx Corporation ka deklaruar se do të shpenzojë 2 miliardë dollar në “investime fillestare” për t’u bërë neutrale ndaj karbonit deri më 2040.

Kjo lëvizje ka ardhur pas vendimeve të prodhuesve më të mëdhenj të automjeteve për t’u zotuar që të largojnë makinat ndotëse dhe emetuese të karbonit brenda dekadave në vijim.

FedEx pretendon se është linja ajrore më e madhe e transportit të ngarkesave në botë, me më shumë se 650 aeroplanë në dispozicion.

Veprimtaria e FedEx krijon gjurmë dhe kontribuon shumë në emetime të karbonit andaj edhe zotimet e saj për të qenë neutral ndaj karbonit janë shumë sfiduese dhe masive në të njejtën kohë.

Investimet do të bëhen në tri fusha: 100 për qind e automjeteve të FedEx të jenë elektrike deri në 2030

Investimet e FedEx për t’u bërë neutral ndaj karbonit do të bëhen në tri fusha kyçe, ka bërë të ditur kompania, ndër to janë: elektrifikimi i automjeteve, energjia e qëndrueshme, dhe kapja e karbonit.

FedEx poashtu ka bërë të ditur se do të dhurojë 100 milion dollarë në formë donacioni tek Universiteti Yale, në përpjekjet për të intensifikuar projektet e hulumtimit dhe zhvillimit të mundësive të reja për kapjen dhe magacinimin e karbonit.

Tutje, kompania poashtu ka deklaruar se do të financojë kërkime për të ndihmuar “kompensojë gazrat e serrës paralel me emetimet e liruara aktualisht nga linja e saj ajrore”.

Mirëpo, siç ka bërë të ditur gjiganti i logjistikës, shumica e fondeve do të shkojnë drejt blerjes së veturave elektrike për të zëvendësuar flotën makinave ekzistuese të FedEx me gaz natyror.

FedEx ka thënë se deri në vitin 2025, 50 për qind të makinave ekzistuese do t’i zëvendësojë me elektrike, ndërsa në vitin 2030, ajo do të zëvendësojë të gjitha makinat.

FedEx aktualisht operon me 118 kamionë elektrik, dhe 364 kamionë komercial hibrid. Kjo paraqet një pjesë shumë të vogël nga numri i përgjithshëm i 43,000 automjeteve me të cilat kompania aktualisht operon.

Sfida më e madhe me të cilën ballafaqohet FedEx është të eliminojë emetimet e karbonit nga operacionet ajrore. Ndërsa konkurrenti kryesor është UPS i njohur për dërgesat me transport tokësor, FedEx është më së shumti aktive në dërgesat përmes linjave ajrore.

Ndërsa në botë është arritur shumë në elektrifikimin e makinave tokësore, procesi i eliminimit të emetetimeve nga industria e aviacionit ëshë shumë më i ngadalshëm dhe më i komplikuar. Andaj edhe FedEx ka thënë se do të arrijë dekarbonizimin në vitin 2040, e jo më herët.

Përveç makinave dhe investimeve në transport, FedEx ka thënë se do të eliminojë edhe emetimet që shkaktohen nga ambalazhimi i dërgesave dhe pajisjet e transportit. Për ambalazhime, FedEx ka thënë se do të përdorë materiale dhe zgjidhje të qëndrueshme të ambalazhimit, si dhe investime në energjinë e ripërtëritshme.