Search

Evropa ka shtuar 4.2 gigavat kapacitete të erës në det të hapur në vitin 2023

23 Janar, 2024


Industria evropiane e prodhimit të energjisë nga era në det të hapur ka shtuar 4.2 gigavat kapacitete të reja prodhimi në vitin 2023. Sipas parashikimeve, Evropa pritet të shtojë edhe nga 5 gigavat tjera në vit në tri vitet e ardhshme, dhe kjo prapë nuk është e mjaftueshme për të arritur qëllimet e përcaktuara për vitin 2030.

Kapacitetet e shtuara në vitin 2023 janë 40% më të larta se kapacitetet e përgjithshme të shtuara në vitin 2022, ku rreth 3 gigavat vijnë nga vendet në Bashkimin Evropian, thuhet në të dhënat e fundit të publikuara nga WindEurope.

Shumë nga parqet e reja të erës në det të hapur janë të vendosura në Holandë, Francë dhe Mbretëri të Bashkuar. Projekti më i madh që filloi operimin është projekti 1.5 gigavatësh Hollandse Kust Zuid afër brigjeve të Holandës, për momentin edhe projekti më i madh i erës në botë.

Sipas WindEurope, veprimet ligjore si dhe lansimi i pakos së BE-së për energji të erës ishin ndër nxitësit kryesorë të zhvillimit të industrisë së prodhimit të rrymës nga era në det të hapur në vitin 2023.

Tregu evropian i energjisë së erës në det të hapur pritet të rritet edhe më shumë pas lansimit të ankandeve të planifikuara të vendeve anëtar në vitin 2024, që pritet të mbledhin oferta për më së paku 40 gigavat kapacitete të projekteve të reja.