ERE: Makinat elektrike me kosto rreth 9-11 herë më të ulët se ato me djegie
October 04, 2022

Theksi i shtuar për uljen e ndotjes së mjedisit, alternativave më të qëndrueshme në afatgjatë dhe rritja e çmimeve të karburanteve i ka dhënë një tjetër vëmendje përdorimit të makinave elektrike.
Një studim i Entit Rregullator të Energjisë ka dalë në përfundimin se makinat elektrike janë shumë të të levërdishme se ato me djegie, raporton Monitor.al.
Enti ka analizuar në një tabelë tre modele mjetesh një elektrike, një me naftë dhe një me benzinë ku për një kilometër kostoja e asaj elektrike është 1.82 lekë, e asaj me benzinë 21.6lekë dhe asaj me naftë 16.45 lekë.
Kësisoji, sipas përllogaritjeve mund të konstatohet se një makinë elektrike shpenzon afro 11-herë më pak Lekë për kilometër distancë krahasuar me një makine me motor benzine dhe afro 9 herë më pak me se një makinë me motor nafte” nënvizon Enti.
Në studimin “Vlerësim mbi kuadrin rregullator dhe ligjor me qëllim përdorimin e teknologjive të reja për stacionet e ngarkimit të automjeteve elektrike, përfshirë rregullimin e tarifimit të këtij shërbimi” Enti është ndalur edhe tek kostot fillestare të blerjes së një mjeti, shkruan Monitor.al.
Për ato elektrike kostot rezultojnë më të larta por që falë subvencioneve që bëhen në botë nga qeveritë dhe kostoja e ulët mujore kthimi bëhet me shpejt sesa mjetet me djegie.
Enti ka llogaritur që mesatarisht në një vit një individ të qarkullojë 10 mijë kilometra me mjet dhe në këtë hark kohor të ketë shpenzuar 1378 kilovat/orë.
Në Shqipëri energjie në stacionet e karikimit ofrohet për 14 lekë çka do bënte që kostoja totale për këto 10 mijë kilometra të ishte 19 292 lekë apo 1600 lekë në muaj.
I njëjti ka analizuar se numri i mjeteve elektrike mbetet i ulët dhe po kështu edhe i stacioneve të karikimit të cilat në gjithë vendin llogariten në 42 ku më shumë se gjysma e tyre në Tiranë.