Search

Ekonomistët presin që energjia të shtrenjtohet ende – Si pasoj rritet kostoja edhe e produkteve tjera

April 18, 2025


Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka folur rreth rreth efekteve ekonomike dhe sociale që mund ti ketë vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritje të tarifave të energjisë prej 16.1%.

Ai ka thënë se pas kësaj ngritje të çmimit në një periudhë kohore do të ketë prapë tentativë për ngritje të tarifave nga ana e ZRrE-së. Gërxhaliu ka thënë se nuk ka kurrfarë lobimi kohëve të fundit që të shtohet prodhimi i energjisë.

“Derisa do të jesh i varur nga importi definitivisht do të ketë oscilime të energjisë elektrike, këtë po e dëshmojnë lëvizjet nëpër berza. Dhe kjo do të jetë një dëm i madh për qytetarët e Kosovës, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe social. Ndërsa në aspektin psikologjik flet fakti se askush nuk e përmend tentativën për të investu në kapacitete të reja prodhuese. Besoj që kjo është ndër problemet më të mëdha që do ta rëndoj edhe më tepër qytetarin e Kosovës”, ka thënë ai, për RTV Dukagjini.

“Prandaj, të flitet për dëme qoftë në çmime, qoftë në konkurrentshmëri, qoftë në aspektin e tregtisë ndërkombëtare vërtetë është utopike”, ka thënë Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka thënë se rritja e çmimit të energjisë do të rritë edhe çmimet e tjera të tregut.

“Sot paralajmërohet se me këtë vendim [të ZRrE-së] një kilogram i bukës do të jetë nga 70 deri në 80 cent”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka reaguar fuqishëm ndaj për vendimin e ZRRE për shtrenjtim të energjisë elektrike

Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se përkundër dy protestave në Prishtinë, kundërshtimit në forma tjera, dërgimit të komenteve, “ndërmarrja e strukturuar kriminale ZRrE dje miratoi vendimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 16.1% që në masë të madhe do ta vështirësojë jetën e pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës”.

Sipas KMDLNJ-së, tarifat e reja prej 16.1% do të krijojnë vështirësi bizneseve të shumta e në veçanti shtresave të cenueshme siç janë: pensionistët, përfituesit e skemave sociale, veteranët e luftës etj.

“Qeveria Kurti 2 nuk ndërmori asnjë veprim për të mbrojtur qytetarin e varfëruar të Kosovës madje me disa improvizime të ministres përkatëse pranoi rritjen duke përshkallëzuar këtë rritje. Ndërmarrja kriminale ZRrE asnjëherë nuk ka përfaqësuar interesin e qytetarit por se ka mbrojtur në mënyrë skajshmërisht të pamoralshme interesin e operatorëve të energjisë elektrike dhe strukturave të caktuara qeveritare, që nga përfundimi i luftës deri më sot. Për 15 vite ka vjedhur paratë e qytetarëve të Kosovës në baza etnike duke liruar serbët nga çdo detyrim për pagesë përmes fryrjes së faturave”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNJ), as sot e kësaj dite qytetarët e dëmtuar nuk janë kompensuar “ndonëse kemi një vendim të gjykatës”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut thotë po ashtu se rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk do të mbetet rast i izoluar përkundrazi do të prodhojë rritje të çmimit të të gjithë artikujve dhe shërbimeve. Po ashtu sipas KMDLNJ-së, “kjo rritje kriminale do të kontribuojë në shpopullim të Kosovës, edhe ashtu të rinjtë po ikin në mënyrë masive.

Sipas KMDLNJ-së protestat duhen të organizohen në tërë Kosovën dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut fuqishëm përkrahë protesta të karakterit social dhe ekonomik.

/Telegrafi