Search

EC Ma Ndryshe: Shfrytëzimi i biomasës për ngrohje dhe transporti ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Prizren

19 Janar, 2021


Shfrytëzimi i biomasës për ngrohje është ndotësi i dytë më i madh i ajrit në Prizren me 29.4 për qind, pas trafikut me 56 për qind, ka thënë organizata ‘EC Ma Ndryshe’ në videon e fundit të publikuar në rrjete sociale.

Organizata ka ritheksuar të dhënat nga raporti i progresit i Komisionit Evropian për vitin 2020, sipas të cilave cilësia e ajrit vazhdon të jetë ndër kërcënimet kryeore të shëndetit. Ata kanë theksuar se autoritet kanë dështuar të miratojnë dhe zbatojnë masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit, veçanërisht përmes planit të zvogëlimit të emitimeve.

Përkundër të arriturave në monitorimin në kohë reale të cilësisë së ajrit, EC Ma Ndryshe tregon se ndotja e ajrit kërkon ndërmarrjen e masave urgjente, ndërsa strategjia e cilësisë së ajrit ende nuk ka filluar zbatimin.

Shfrytëzimi i biomasës për ngrohje konsiderohet të jetë ndër kontribuesit më të mëdhenj të ndotjes së ajrit dhe burimi kryesore i grimcave të pluhurit, duke shkaktuar vdekje të parakohshme dhe sëmundje të rënda.

63.2 për qind e qytetarëve përdorin drurin për ngrohje

Në mungesë të sistemit të ngrohjes qendrore në Prizren, shumë nga banorët kanë shfrytëzuar burime të biomasës, e në veçanti drurin, si burimi më i lirë për ngrohje të shtëpive të tyre, ka thënë EC Ma Ndryshe në videon e publikuar.

‘Po, me dru ma mirë ma lirë, për atë arsye. Nuk i kam kushtet ma të mira për atë arsye’, ka thënë njëri nga qytetarët.

63.2 për qind e respodentëve të anketës së bërë nga EC Ma Ndryshe janë përgjigjur se përdorin drurin për ngrohje. Ndërkaq, ndotja nga shrytëzimi i biomasës nga të anketuarit është renditur si ndotësi i dytë më i madh i ajrit me 29.4 për qind, pas trafikut me 56 për qind.

‘Përdorimi i drurit për ngrohje ndikon në ndotjen e ajrit, për arsye që gjatë djegies liron tym që përmbanë disa grimca që quhen PM 2.5, që ndikojnë në ndotjen e ajrit’, tha Erlinda Sallauka, ekologe nga Prizreni.

Prezenca e grimcave PM 2.5 tejkalon të gjitha vlerat e lejuara në Prizren, veçanërisht në sezonin vjeshtë – dimër.

‘Paralelisht me ndotjen e ajrit ndikon edhe në shëndetin e njeriut për shkak se ato inkorporohen në trupin tonë me anë të frymëmarrjes, shkojnë direkt në mushkëri gjithashtu mund të shkojnë edhe në tru dhe inkorpohen në gjakun tonë’, ka thënë Erlinda Sallauka për EC Ma Ndryshe, ndërsa shtoi se djegia e biomasës ndikon edhe në lirimin e dyoksidit të karbonit dhe metanit, që gjithashtu janë të dëmshme për tokën dhe ajrin.

Komuna e Prizreni: Ndotja e ajrit problem i madh shëndetësor, jo vetëm në Kosovë

Muhamet Bajrami nga Departamenti i Shëndetit Publik në Komunën e Prizren thekson se ndotja e ajrit është ndër problemet më të mëdha shëndetësore, jo vetëm në Kosovë.

‘Komuna e Prizrenit në këtë rast nuk ka mundur të marrë ndonjë masë, me të vërtet është problem, edhe shtetet shumë më të zhvilluara nuk kanë arritur të bëjnë e lere më Prizreni’, tha Bajrami.

Ai theksoi se për momentin komuna ka arritur të bëjë përcjelljen e parametrave të ndotjes së ajrit, dhe sipas rezultateve të monitorimit do të ndërmerren edhe aktivitete për zvogëlimin e tyre.

Ai shtoi se sipas planifikimit, shumë shpejtë do të fillojë realizimi i projektit për monitorimin e cilësisë së ajrit në shtatë pika të ndryshme.

Sallauka: Duhe të angazhohemi të gjithë për mbrojtjen e pyjeve

Ndërak, ekologja Erlinda Sallauka ka bërë thirrje që të gjithë të angazhohen për mbrojtjen e pyjeve, meqë pyjet konsiderohen si furnizuesit më të mëdhenj me oksigjen.

“Pyjet janë furnizuesi kryesor i Tokës me oksigjen, ata e prodhojnë biomasën më të madhe në Tokë, na mbrojnë neve nga erërat, erozionet, dhe nëse bëhet degradimi apo prerja e pakontrolluar e tyre nuk do të thotë që ai pyll nuk ekziston më, por funksioni i tij nuk është i njëjtë si më herët’, sqaroi Sallauka.

Ajo theksoi se nuk është vonë për të shtuar përpjekjet për shpëtimin e pyjeve, mirëpo ka probleme me respektimin e ligjit.

‘Pyjet në Kosovë, si në gjithë botën, kanë filluar të prehen në mënyrë të paligjishme nëse vazhdon dikush me pre hapë rrugën edhe për të tjerët të vazhdojnë degradimin e pyjeve. E gjithë përgjegjësia na mbetet neve si qytetarë, për shkak se ne nuk i respektojmë ligjet dhe nuk shkojmë konform ligjeve dhe rregullave që janë. Por nuk do të thotë se është shumë vonë, pyjet mund të shpëtohen’, përfundoi Sallauka.