Search

Deputetët aprovojnë kërkesën e KOSTT për të paguar 11 milionë euro për t’i kompensuar humbjet në veri

28 Prill, 2021


Pas diskutimit të gjatë ndërmjet pjesëtarëve të pozitës dhe opozitës, me gjashtë vota në favor dhe tri kundër deputetët në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti kanë aprovuar kërkesën e KOSTT për të paguar 11 milionë euro për të kompensuar humbjet në veri.

Ky vendim u propozua nga deputetët e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe Armend Muja ndërsa kundër ishin deputetët e opozitës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka hyrë në obligime financiare prej 11 milionë eurosh për prodhim të energjisë në veri.

Këto mjete ky institucion i ka kërkuar nga Qeveria e vendit, por nëse ato nuk kompensohen, shpenzimet duhet t’i paguajë rrjeti Evropian të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSOE).

KOSTT kërkon 11 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për konsumin e energjisë elektrike në veri

Lexo më shumë

Ndryshe, gjatë fushatës zgjedhore në lidhje me pagesën e energjisë elektrike në veri të Kosovës, kandidati për Kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte thënë se gjatë mandatit të tij KEDS do të fillojë të bëjë inkasimin e pagesave për konsumatorët në veri, duke theksuar se një gjë e tillë është e pashmangshme.

‘Sa i përket pagesës së energjisë elektrike në veri ne do t’ia jepim një afat të shkurt KEDS-it për këtë gjë, që të bënë inkasimin edhe atje, e më pastaj do ta bëjmë një plan strategjik sepse pajtohem, nuk mund të vazhdojmë kësisoji’, kishte thënë kryeministri Kurti në #debatpërnime të Kallxo.com.

Ky qëndrim ishte konfirmuar edhe nga anëtarët tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Banorët e katër komunave në veri të Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuara të energjisë elektrike.

Abazi: Pagesat e rrymës në veri, prioritet i Vetëvendosjes

Lexo më shumë

Këto borxhe, që në vit sipas shënimeve zyrtare arrijnë vlerën e rreth 8 milionë euro, deri në fund të vitit të kaluar u janë faturuar qytetarëve nga viset tjera të Kosovës.

Ndërkohë, një vendim i Gjykatës së Apelit, i pati dhënë fund praktikës që konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës të paguajnë energjinë për banorët serbë në veri të vendit, të cilët nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe për këtë, kompanitë që duhet të mbledhin faturat, nuk kanë qasje në atë pjesë.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian qysh në vitin 2013 ishte nënshkruar marrëveshja për energji, por që si e tillë nuk është zbatuar nga Serbia.

Në bazë të marrëveshjes për energji, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kusht për Serbinë ishte edhe regjistrimi i një kompanie të re serbe, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Autoritetet kompetente të Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për regjistrimin e kësaj kompanie, por që Serbia nuk po e bën një veprim të tillë.

Shtatë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit për energji mes Kosovës dhe Serbisë, kompania nga veriu i Kosovës, “Drustvo Elektrosever”, ka aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.

Aplikimi ishte bërë para disa ditë pasi Kosova është pavarësuar nga Serbia si Zonë Rregulluese e Transmisionit. Kjo nuk ia mundëson më Serbisë që t’i shfrytëzojë asetet interkonektive të Kosovës.

Megjithatë, ky proces është bllokuar shkaku që Bordi i ZRRE-së është jofunksional.