Search

KOSTT kërkon 11 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për konsumin e energjisë elektrike në veri

27 Prill, 2021


Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës – KOSTT ka kërkuar 11 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të rrymës në katër komunat serbe në veri të Kosovës.

Sot është mbledhur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku u shqyrtua kërkesa e KOSTT për mbulimin e shpenzimeve të rrymës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mbledhjen e Komisionit e pranishme ishte edhe ministrja e ekonomisë – Artane Rizvanolli si dhe përfaqësues të bordit të KOSTT.

Kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, tha se për shkak të pezullimit të të hyrave për mbulimin e humbjeve në veri të Kosovës, KOSTT nuk ka pasur mundësi të prodhojë energji elektrike për mbulimin e humbjeve për pjesën veriore të Kosovës që nga dhjetori i vitit 2017.

“Konsumi në pjesën veriore të Kosovës është regjistruar si devijim i Kosovës ndaj Evropës kontinentale. Në fillim të muajit prill KOSTT ka hyrë në fazë kritike dhe nuk do të kemi të mbajmë balancimin e sistemit. Në rast se KOSTT nuk mbulon shpenzimet pasojat financiare dhe ligjore do të jenë të mëdha”, ka thënë Mehmeti, ndërsa ka ripërsëritur kërkesën Qeverisë për të bërë zgjidhje për mbulimin e humbjeve deri në dhjetor, deri sa të bëhet zgjidhje afatgjate.

Ai paralajmëroi se në rast se ndodhin devijime, KOSTT në bazë të marrëveshjes së kyçjes në ENTSO-E do të ballafaqohet me ndëshkime financiare nga ENTSO-E dhe si rrjedhojë e kësaj, do të ketë rivlerësim të marrëveshjes së kyçjes si dhe dëmton reputacionin e Kosovës dhe shteteve mike që e kanë mbështetur pavarësimin energjetik të Kosovës.

“Nëse kjo ndodhë, sipas marrëveshjes KOSTT do të gjobitet me 5 milionë euro në vit sipas marrëveshjes”, ka potencuar Mehmeti.

Më 5 tetor të vitit të shkuar, KOSTT-i kishte kërkuar 15 milionë euro nga shteti, ndërsa Qeveria ia kishte siguruar 10. Megjithatë, sipas KOSTT-it, buxheti ishte paraparë të mbulonte koston deri në mes të prillit. Tani, ky operator ka kërkuar 11 milionë euro “që të ruajë stabilitetin e KOSTT-it”.

Ndërsa po raportonte sot para komisionit për Ekonomi, Industri, për kërkesën e KOSTT-it, ministrja Rizvanolli tha se qëndrimi i qeverisë është të gjindet zgjidhje afatgjate, por se kjo nuk mund të ndodhë brenda muajsh.

Ajo ka kërkuar mbështetje nga Kuvendi si themelues i KOSTT për të mos rrezikuar anëtarësimin në ENTSO-E.

“Vetëm gjatë vitit 2020 kemi pasur rritje 14 përqind të konsumit të energjisë në katër komunat veriore. Jemi në hartim e sipër të një plani për të zgjidhur çështjen e problemit me energji në veri. Plani do të jetë për të pasur trajtim të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës. Deri atëherë, është tepër me rëndësi që së bashku me kuvendin të bëjmë një zgjidhje që anëtarësimi ne ENTSO-E të mos rrezikohet”, theksoi Rizvanolli.

E kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Mustafë Hasani, ka thënë se ky operator përballet me dy alternativa, ta paguajë vetë ose ta blejë energjinë deri në zgjidhjen afatgjate.

“Pagesën do ta bëjmë gjithsesi dhe nuk do ta pezullojmë. Ne me licencë të ZRRE-së na është dhënë obligim ta mbulojmë pjesën veriore, por nuk na janë dhënë edhe mjete financiare për të njëjtën. Ne kemi para nga buxheti vetanak i joni, por ne ju kemi drejtuar komisionit e Kuvendit si aksionar. Ne kemi kërkuar nga ju të përkrahet KOSTT-i sepse është ndërmarrje e jona e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, kërkesa e KOSTT për mbulimin e shpenzimeve të konsumit të rrymës në katër komunat serbe në veri është diskutuar zëshëm edhe nga përfaqësuesit e opozitës.

Kryetari i Komisionit Ferat Shala theksoi se në kërkesën e KOSTT janë në pyetje 11 milionë euro për vitin 2021 sikur që janë ndarë edhe vitin e kaluar prej 10 milionë euro nga Qeveria Kurti 1.

Deputeti Shala ka kërkuar përgjigje nga ministrja Rizvanolli për veprimtarinë ilegale në veri me kriptovalutat, që mendohet se kanë shkaktuar rritje të shpenzimit të energjisë.

Anëtarja e komisionit Mimoza Kusari tha se ky problem ka prekur tri qeveri dhe potencoi se është një problem shtetëror.

Deputeti Pal Lekaj tha se Kosova duhet parë si tërësi për të mos pasur diskriminim të qytetarëve.

“Si pushtet keni numrat e mjaftueshme dhe mund ta zgjidhni këtë problem diskriminues. Pyetja është a doni me bërë pagesën?”, ka pyetur Lekaj.

Deputeti nga VV Driton Hyseni ka kërkuar të shikohen mundësitë që KOSTT me të hyrat e saja buxhetore të bëjë një zgjidhje deri në nxjerrën e planit qeveritar për këtë çështje në veri.

Për këtë temë, janë duke raportuar Bordi dhe drejtori i ekzekutiv i KOSTT për kërkesën e tyre financiare dhe gjendjen në këtë ndërmarrje publike.