Search

COP26: Më shumë se 40 vende zotohen të largojnë qymyrin

04 Nëntor, 2021


Qeveria e Britanisë së Madhe ka konfirmuar se më shumë se 40 vende janë duke u përkushtuar për të larguar përdorimin e qymyrit në samitin COP26.

Lista përfshinë edhe vende që përdorin masivisht qymyrin, duke përfshirë Poloninë, Vietnamin dhe Kilin. Por, disa nga vendet më të varura ndaj qymyrit nuk kanë nënshkruar marrëveshjen dhe rrjedhimisht, nuk kanë bërë këtë përkushtim. Kjo listë përfshinë Australinë, Indinë, Kinën dhe SHBA-të.

Qymyri është ndër kontribuesit më të mëdhenj të ndryshimeve klimatike.

Nënshkruesit e marrëveshjes së re janë përkushtuar për të përfunduar të gjitha investimet në projekte të reja të prodhimit të rrymës nga qymyri në vendet e tyre, por edhe në vende tjera.

Ata gjithashtu janë pajtuar për të larguar përdorimin e qymyrit për prodhim të rrymës në vitet e 2030-ta për vendet e pasura, dhe në vitet e 2040-ta për vende më të varfëra.

Dhjetëra organizata gjithashtu kanë nënshkruar zotimin, ndërsa edhe shumë banka janë pajtuar të ndërprejnë financimin e industrisë së qymyrit.

‘Fundi i qymyrit po shifet në horizont’, ka thënë Kwasi Këarteng, Sekretari i shtetit për ndërmarrësi dhe energji në Britani të Madhe.

‘Bota ka përzgjedhur drejtimin e duhur, duke qëndruar e gatshme për largimin e qymyrit dhe përvetësimin e praktikave të duhura mjedisore dhe ekonomike, për një të ardhme të energjizuar nga burimet e pastërta’, ka shtuar Kwarteng.

Por, një tjetër sekretar në Britani të Madhe, Ed Miliband ka thënë se procesi i nënshkrimit kishte edhe boshllëqet e veta të ‘dukshme’, duke qenë se Kina dhe emetuesit tjerë të mëdhenj nuk janë zzotuar të ndalojnë rritjen e përdorimit të qymyrit brenda kufijve të tyre. Ai gjithashtu tha se vendet nuk janë përkushtuar për largimin gradual të naftës dhe gazit.

Ndryshe, edhe pse është shënuar progres në largimin e qymyrit në nivel global, qymyri ishte përdorur për të prodhuar diku rreth 37% të energjisë elektrike në vitin 2019.

Vendet si Afrika Jugore, Polonia dhe India kanë nevojë për shumë investime për të ‘pastruar’ sektorët e tyre të energjisë elektrike.