Search

Çmimet e naftës bien pas sulmit të Iranit

16 Prill, 2024


Çmimet e naftës kanë rënë pas sulmit hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit. Në bursën e Londrës çmimi arriti në 90 dollarë për fuçi, ndërsa në bursën amerikane çmimi u ul me 29 cent, ose 0,3%, në 85,37 dollarë për fuçi.

Sulmi me më shumë se 300 raketa dhe dronë ka ngritur shqetësime për një konflikt më të gjerë rajonal që pritet të ketë ndikime negative nëpër tregjet e Lindjes së Mesme. Çmimet gjatë javëve të fundit janë rritur duke prekur nivelet e tyre më të larta që nga tetori i vitit të kaluar. Analistët e “City Research” kanë bërë të ditur se tensionet e zgjatura gjeopolitike gjatë tremujorit të dytë të këtij viti kanë çuar kryesisht naftën në 85-90 dollarë për fuçi.

Analistët shprehen se reagimi i Izraelit ndaj sulmit do të jetë kyç për tregjet globale në ditët dhe javët në vijim. Mes të tjerash ata parashikojnë se ato mund të rriten fuqishëm nëse Izraeli ndërmerr veprime hakmarrëse ndaj Iranit.

Irani është prodhuesi i 7-të më i madh i naftës në botë, sipas Administratës së Energjisë së SHBA-së, dhe anëtari i tretë më i madh i kartelit të prodhuesve të naftës OPEC. Analistët thonë se një rritje e çmimit të naftës në vazhdim do të ndikohet transporti përmes Ngushticës së Hormuzit. Meqenëse Irani aktualisht prodhon mbi 3 milionë fuçi naftë bruto në ditë si një prodhues kryesor brenda Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), rreziku i furnizimit përfshin sanksione më të rrepta të naftës dhe se përgjigja e Izraelit mund të përfshijë shënjestrimin e infrastrukturës energjetike të Iranit.

Ngushtica e cila është midis Omanit dhe Iranit është një rrugë thelbësore detare, pasi rreth 20% e furnizimit të përgjithshëm të naftës në botë kalon përmes saj. Anëtarët e OPEC-ut, Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku dërgojnë pjesën më të madhe të naftës që eksportojnë përmes kësaj ngushtice.

/Klan News