Search

Bordi i ZRRE ka mbajtur mbledhjen dhe ka aprovuar disa plane dhe rregulla të operatorëve të sistemit

06 Korrik, 2023


Leximi i këtij artikulli zgjatë: 3 minuta

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, ka mbajtur seancën e tij të VI-të me radhe për këtë vit.

Në këtë seancë, Bordi ka miratuar kërkesat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) për aprovimin e Bilancit Afatgjatë të Energjisë Elektrike 2023-2032 si dhe ka dhënë pëlqimin për Planin e Adekuacisë së Gjenerimit.

Bilanci Afatgjatë i Energjisë Elektrike paraqet parashikimet 10 vjeçare të bilancit në mes të prodhimit dhe kërkesës për energji elektrike, si dhe parashikimet e nevojave për import dhe eksport të energjisë elektrike. Dokumenti përfshinë edhe vlerësimin e emetimeve gjatë procesit të prodhimit të energjisë elektrike.

Në këtë seancë, Bordi ka miratuar Rregullën për Përgatitjen dhe Vlerësimin e Planeve Zhvillimore dhe Investive të Operatorëve të Sistemeve në Sektorin e Energjisë.

Me miratimin e kësaj Rregulle është bërë definimi i metodologjisë dhe renditja e hapave për përgatitjen dhe vlerësimin e Planeve Zhvillimore dhe Investive të Operatorëve të Sistemeve në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë këtu edhe vlerësimin e Projekteve Kapitale që do të jenë pjesë e Planeve Zhvillimore dhe Investive, si dhe përcaktimi i metodologjisë për vlerësimin rregullator të Planeve Zhvillimore dhe Investive.

Po ashtu në këtë seancë, Bordi ka miratuar Rregullën për Sistemin e Mbyllur të Shpërndarjes. Në këtë Rregull është bërë përcaktimi i kritereve dhe kushteve për t’u implementuar Sistemi i Mbyllur i Shpërndarjes, përkatësisht përcaktimi i procedurave të aplikimit dhe licencimin të Operatorit të Sistemit të Mbyllur të Shpërndarjes, si dhe të përcaktojë të drejtat dhe detyrimet e operatorit dhe konsumatorëve të Sistemit të Mbyllur të Shpërndarjes.

Bordi ka miratuar kërkesat e KEDS për aprovimin e planit investim një vjeçar dhe planin për reduktimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.