Search

BIRN dhe KOSID fitojnë betejën kundër Ministrisë së Mjedisit për ndërtimin e termocentralit nga ContourGlobal

30 Mars, 2023


Këtë muaj (mars 2023) u bë i plotfuqishëm vendimi i Gjykatës së Prishtinës, i cili obligon Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të anulojë pëlqimin që i ka dhënë kompanisë “Contour Global” më 27 dhjetor 2018 për të ndërtuar termocentralin e tretë me qymyr në Kosovë.

Në shkurt të vitit 2019, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në kuadër të KOSID-it, Konsorciumit për Shoqëri Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm kishte kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), e cila më 2018 kishte dhënë pëlqim mjedisor për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë nga ana e “Contour Global”.

Në seancën që është mbajtur më 12 janar në Gjykatën e Prishtinës ishin prezentë Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN-it dhe Labinot Leposhtica, juristi kryesor në BIRN, të cilët argumentuan para gjykatësit Kreshnik Kaçiu se pse Gjykata duhet të vendosë në favor të qytetarëve në këtë rast.

Në seancë munguan përfaqësuesit e Avokaturës së Shtetit, të cilët e kishin kontestuar padinë e BIRN-it me shkrim.

Pas kësaj seance, Gjykata e Prishtinës vendosi në favor të BIRN-it, duke nxjerrë vendim me të cilin obligon Ministrinë që të anulojë pëlqimin që ia ka dhënë “Contour Global”-it për të ndërtuar termocentralin.

Pas pritjes së afateve të ankimimit, në mars ky vendim u bë i plotfuqishëm.

Gjykata me aprovimin në tërësi të padisë së BIRN-it ka obliguar Ministrinë që për çështjen në fjalë ta rishqyrtojë dhe të rivendosë për të duke u bazuar dhe përgjigjur të gjitha pikave të padisë.

Lexo artikullin e plotë.