Search

BGF: Ajri i ndotur rritë shkallën e vdekshmërisë nga COVID-19 në Evropë për 19 për qind

04 Shkurt, 2021


Për vite, Ballkani Perëndimor ka qenë një nga rajonet më të prekura në Evropë nga ndotja e ajrit. Qytetet në këtë rajon shpesh i kryesojnë listat e qyteteve më të ndotura në botë.

Kur dikush i shton kësaj situate pandeminë globale COVID-19 e cila në një masë të madhe e shënoi vitin 2020 dhe e cila është akoma në vazhdim, rezulton një rritje shtesë e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe vdekshmërisë, kanë thënë Balkan Green Foundation në raportin e fundit.

‘Shkaku kryesor i ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor janë grimcat e imëta (PM), të cilat kanë ndikim negativ në të njëjtat qeliza dhe pjesë të qelizave të organizmit të njeriut sikurse koronavirusi. Për këtë arsye, personat që janë të ekspozuar çdo ditë ndaj ndotjes së ajrit kanë sistem më të dobët imunitar, dhe prandaj reagimi i organizmit ndaj pranisë së koronavirusit është më i paqendrueshëm, gjë që kontribuon në zhvillimin e formave më të rënda të COVID-19, përfshirë edhe vdekje më të shpeshta’, kanë thënë Balkan Green Foundation.

Ekspozimi për kohë të gjatë ndaj substancave të dëmshme të ajrit rrit rrezikun e sëmundjeve akute dhe kronike, kryesisht ato që prekin sistemin e frymëmarrjes.

Si rezultat i dëmtimit të funksionit të tij, ky sistem bëhet më i prirur në ndikimin e infeksioneve të virusit, duke përfshirë atë të shkaktuar nga koronavirusi.

‘Studimet nga Kina, Anglia, SHBA, Gjermania, Hollanda dhe Italia kanë treguar se rritja e ndotjes të ajrit mund të shkaktojë rritjen e numrit të infeksioneve, si dhe nivele më të larta të vdekshmërisë COVID-19’, sqarojnë BGF, ndërsa kanë shtuar se se ndotja e ajrit rrit nivelet e vdekshmërisë COVID-19, deri në 15% në nivel global dhe deri në 19% në Evropë.

Ballkani Perëndimor të sigurojë zbatimin e ligjeve në fushën e mbrojtjes së mjedisit

E përkundër shumë hulumtimeve në botë, kur bëhet fjalë për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka ende mungesë të studimeve dhe kërkimeve përkatëse, gjë që na pengon të ofrojmë të dhëna konkrete, kanë sqaruar Balkan Green Foundation.

‘Edhe pa ndikimin e COVID-19, ndotja e ajrit në rajon shkakton deri në 13,500 vdekje të parakohshme çdo vit në rajon; deri më tani, 693,902 njerëz kanë kontraktuar COVID-19 dhe 13,423 kanë vdekur si rezultat i virusit’, nënvizon raporti i Balkan Green Foundation.

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet të reagojnë dhe të përmirësojnë efikasitetin në zbatimin e ligjeve dhe vendimeve në fushën e mbrojtjes së mjedisit në mënyrë që të fitojnë benefite më të mëdha ekonomike dhe shëndetësore gjithë qytetarët.

Vetëm termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor shkaktojnë dëme ekonomike në formën e kostove të kujdesit shëndetësor të vlerësuara në rreth 1.9-3.6 miliardë €, të paguara nga qytetarët e rajonit çdo vit.

Publikimin e plotë mund t’a lexoni duke klikuar këtu.