Search

Belinda Balluku: Prodhimi i energjisë në Shqipëri po mbulohet tërësisht nga Fierza

06 Dhjetor, 2022


Zëvendës kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku thotë se aktualisht, prodhimi i energjisë në këtë vend mbulohet nga baseni i Fierzës.

Në një intervistë për Euronews Albania, Balluku bëri të ditur se prej 10 ditësh, nuk është importuar energji nga jashtë.

“Shirat erdhën dhe erdhën të përqëndruar në katër ditë, të cilat sollën prurje të konsiderueshme. Sot situata në basenin e Fierzës është 280 metra, prodhohet kërkesa energjetike vendase, e cila përbëhet nga kërkesa që vjen nga OSHEE-ja, por edhe nga kërkesa që ne mbulojmë humbjet e OST-së, është një total prej rreth 16 mijë megavat orës në ditë që mbulohen tërësisht nga prodhimi i kaskadës. Kemi më shumë se një 1 javë apo 10 ditë, që nuk blejmë në importe, e mbulojmë gjithçka me prodhimin e kaskadës. Në këto momente jemi duke punuar për të optimizuar Komanin dhe Vaun e Dejës”, theksoi ajo.