Search

Banorët e fshatit francez në dilemë për minierën e re të litiumit: Duan ta përdorin për SUV-të

22 Mars, 2024


Heqja dorë nga nafta, tranzicioni i energjisë, rinisja industriale e Evropës, konkurrenca globale me Kinën dhe lufta kundër ngrohjes klimatike.

E ardhmja e planetit kalon (edhe) përmes një fshati të vogël me 400 banorë, Échassières, në qendër të Francës.

Këtu kompania e madhe franceze e minierave Imerys (me 13 mijë e 700 punonjës në 57 vende), e udhëhequr nga menaxheri 54-vjeçar nga Monza Alessandro Dazza, nisi projektin Emili për të hapur një minierë litiumi në vitin 2028.

Kjo e fundit, me kapacitetin që ofron, mund të pajisë 700 mijë makina elektrike në vit.

Këtu, javën e kaluar, filloi debati publik me banorët: objektivat strategjikë të Parisit dhe Brukselit merren parasysh me mendimin e atyre që jetojnë pranë një miniere kaolinë që ekziston që nga fundi i shekullit të XIX, dhe nën të cilën u gjet një vendburim “ari i bardhë” që mund të prodhonte 34 mijë ton hidroksid litiumi në vit.

Debati sapo ka filluar.

Por tani për tani nuk mjaftojnë mbështetja entuziaste e qeverisë, investimet me miliarda dhe hapja e rreth 1 mijë e 500 vendeve të punës në të ardhmen për të marrë mbështetjen e pakushtëzuar të banorëve, përkundrazi.

Një javë më parë u mbajt takimi i parë i një konsultimi që do të zgjasë katër muaj dhe ku do të shprehen nevojat që Imerys do të duhet të marrë parasysh në dhomën e festës së Moulins aty pranë.

Revista ekologe Reporterre ka raportuar sakaq dialogun emblematik midis një banori të ri dhe një drejtuesi kompanie: “Ju thoni se litiumi do të përdoret për të luftuar ngrohjen globale, por më pas do të përfundojë në bateritë e SUV-ve të mëdhenj, që është një kontradiktë. A mund të angazhoheni që të mos e përdorni këtë litium për SUV?”.

“Ne jemi një kompani minerare, ne nxjerrim dhe furnizojmë litium, nuk mund të vendosim se si do të përdoret”.

“Atëherë mos na fol për shpëtimin e klimës!”.

Dialogu është i ndërlikuar.

Nga njëra anë janë disa banorë të Échassières dhe shoqata Save the Colettes Forest, e cila shpërndan fletëpalosje me sloganin “lithium, no thanks”.

Nga ana tjetër, tranzicioni global nga nafta drejt burimeve të reja të energjisë: energjia elektrike duhet të ruhet në bateri, për të cilat litiumi është i domosdoshëm.

Litiumi mund të bëhet nafta e së ardhmes, aq sa vendet prodhuese Argjentina, Kili dhe Bolivia, të cilat së bashku me Australinë dhe Kinën janë furnizuesit më të mëdhenj në botë, mund të formojnë një kartel sipas modelit të OPEC.

Duke pasur parasysh objektivin evropian për të braktisur makinat me djegie deri në vitin 2035, Evropa synon të mos jetë plotësisht e varur nga ato vende për nxjerrjen e lëndëve të para dhe dëshiron të çlirohet nga monopoli kinez për prodhimin e baterive.

Në “trekëndëshin e litiumit” të formuar nga Argjentina, Kili dhe Bolivia, teknika e nxjerrjes me anë të avullimit bazohet në përdorimin e sasive të mëdha uji.

Ambientalistët e atyre vendeve po mobilizohen, është e kotë t’i thuash lamtumirë dëmit të energjisë fosile për të bërë dëme të tjera me bateri elektrike.

Por pikërisht për këtë, projekti Emili do të dukej i favorshëm.

“Nxjerrja do të bëhet nën tokë, nën minierën që tashmë ekziston, pa përdorur teknikën e avullimit”, ka bërë me dije shefi ekzekutiv Alessandro Dazza.

“Pak ujë është i nevojshëm për çdo proces industrial, por përdorimi i tij do të jetë minimal, asgjë si fabrikat e mëdha të Amerikës së Jugut”.

Një minierë që tashmë ekziston pjesërisht dhe përputhet me standardet mjedisore evropiane do të dukej më mirë.

Por për disa, asgjë nuk është më mirë.

/Albanianpost.com
/Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.