Search

Banka turke İş siguron 40 milion euro investime të gjelbërta

11 Shkurt, 2021


Ndërmarrjet në Turqi do të kenë mundësinë të financojnë investime në efiçiencë të burimeve dhe projekte të vogla të energjisë së ripërtëritshme, ka raportuar Balkan Green Energy  News.

Me ndihmën e transakcionit të parë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Turqi, İşbanka apo İş Leasing do të sigurojë kreditë në vlerë prej 40 milion eurosh për ndërmarrjet e përshtatshme për të financuar investime në efiçiencë të burimeve dhe projekte të vogla të energjisë së ripërtëritshme.

Kredia ofrohet përmes platformës Turke për financim të energjisë së qëndrueshme (TurSEFF), dhe mbësthetet nga Bashkimi Evropian dhe fonde nga Ministria e Thesarit dhe Financave në Turqi, ka thënë BERZH.

Deri më tani përmes platformës janë dhuruar 666 milion euro për të financuar më shumë se 1,800 projekte të energjisë së ripërtëritshme me kapacitet të përgjithshëm prej 582 megavatësh.

Kredia do të ndihmojë edhe në fuqizimin e sektorit financiar në Turqi si dhe do të kontribuojë në rritjen e përdorimit të mundësisë së leasing-ut, kundrejt financimit të borxheve, ka thënë BERZH.

İş Banka në Turqi ka thënë se mbetet e angazhuar për të siguruar fonde që përkrahin zhvillimin e politikave që do të ndihmojnë Turqinë të përballet me krizën e shkaktuar nga pandemia, si dhe të përdorë gjendjen aktuale për të mundësuar zhvillim të gjelbër.

İş Leasing është ndërmarrja e dytë ma e madhe e leasing-ut në Turqi dhe është pjesë e İşbank, huadhënësit më të madh privat në Turqi.