Search

Banka Botërore bashkëpunon me AfDB për të lidhur 300 milionë njerëz në Afrikë me energjinë elektrike

19 Prill, 2024


Banka Botërore po bashkëpunon me Grupin e Bankës Afrikane për Zhvillim (AfDB) në një përpjekje ambicioze për t’u siguruar të paktën 300 milionë njerëzve në Afrikë akses në energji elektrike deri në vitin 2030.

BB-ja do të punojë për të lidhur 250 milionë njerëz me energjinë elektrike nëpërmjet sistemeve të energjisë së rinovueshme të shpërndara ose rrjetit të shpërndarjes, ndërsa “AfDB” do të mbështesë 50 milionë njerëz të tjerë.

“Lidhja e 250 milionë njerëzve me energjinë elektrike do të hapte mundësi investimi të sektorit privat vetëm në energjinë e rinovueshme të shpërndarë me vlerë 9 miliardë dollarë amerikanë”,- njoftuan dy huadhënësit në një deklaratë të përbashkët. Sipas tyre, kjo nismë mund të përgjysmojë numrin e njerëzve në Afrikë pa akses në energji elektrike.

Banka Botërore bëri të ditur se rreth 600 milionë afrikanë tani nuk kanë akses në energji elektrike, duke krijuar barriera të rëndësishme për kujdesin shëndetësor, arsimin, produktivitetin, përfshirjen digjitale dhe krijimin e vendeve të punës.

BB-ja njoftoi se 30 miliardë dollarë investime të sektorit publik do të nevojiten që grupi të lidhë 250 milionë njerëz. Qeveritë do të duhet gjithashtu të vendosin politika për të tërhequr investime private dhe për të reformuar shoqëritë e tyre, në mënyrë që ato të jenë financiarisht të shëndosha dhe efikase me mekanizma tarifash që mbrojnë të varfërit, sipas BB-së. (Irma)