Search

Azemi: 1 milion euro djegen çdo ditë duke mos riparuar bllokun A5

14 Prill, 2023


Blloku A-5 i Termocentralit Kosova A pritet të kthehet në funksion këtë muaj. Ky bllok, që mbulon 13 për qind të konsumit të energjisë elektrike në Kosovë, ka qenë jashtë funksionit qe nëntë muaj.

Para tri ditësh, janë ngritur dyshime se po lihet qëllimisht jashtë funksionit. Zyrtari i LDK’së, Visar Azemi, ka thënë se ky bllok do të mund ta shmangte shtrenjtimin e rrymës. Ai shtoi se gati 1 milion euro djegen çdo ditë duke mos riparuar bllokun A5.

Pas gati nëntë muajsh, Korporata Energjetike e Kosovës pritet t’i ketë në funksion të gjitha njësitë. Në fund të prillit, do të kthehet në funksion edhe blloku A-5 i Termocentralit “Kosova A”, që ka qenë jashtë funksionit që nga korriku i vitit 2022.

Remonti i kësaj njësie ishte zvarritur për disa muaj, meqë s’gjendej kompani e përshtatshme.

Para tri ditësh, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka ngritur dyshime se ky bllok është lënë qëllimisht jashtë funksionit, duke drejtuar gishtin ka Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Azemi tha se po të mos ishte zvarritur remonti i këtij blloku e do të ishte menaxhuar si duhet, s’do të kishte nevojë që energjia elektrike të shtrenjtohej për rreth 15 përqind.

“Nëse nuk do të ishte zvarritur remonti i këtij blloku e do të ishte menaxhuar si duhet, nuk do të kishte pasë nevojë për këtë ngritje të çmimit prej 15%. E krejt kjo situatë e krijuar me mungesën e vullnetit për të investuar në kapacitete të prodhimit duket të jetë e qëllimshme dhe mund ti konvenojë vetëm mafisë energjetike ne krye me Martin Berishaj, për tu shndërruar në bankomat për Kryeministrin!”, shkroi Azemi.

Azemi tha se për të mbushur zbraztirën që do do të mund ta mbulonte ky bllok, për çdo ditë është importuar energji elektrike në vlerë rreth 1 milion euro.

“Blloku A5 i Termocentralit Kosova A prodhon mjaftueshëm energji elektrike për të mbuluar rreth 13% të asaj që i nevojitet Kosovës. Mirëpo, ky bllok është lënë jashtë funksioni qe 9 muaj me radhë. Për çdo ditë që kemi blerë energji elektrike për të mbushur zbrazëtirën që do të mund ta mbulonte blloku A5, Kosova ka paguar rreth 1 milion euro import ditor”, shkroi Azemi.