Auditori: KEK-u nënshkroi 40 kontrata me procedurë të negociuar në vlerë mbi 70 milionë euro në vitin 2023
04 Korrik, 2024
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) gjatë vitit 2023 ka nënshkruar 40 kontrata me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontrata, në vlerë totale mbi 70 milionë euro.
Sipas Raportit të Auditorit për KEK-un për vitin 2023, janë gjetur disa mangësi gjatë zhvillimit të këtyre procedurave.
Sipas ZKA-së, te tenderi “Modernizimi i turbinave B1 dhe B2”, menaxhmenti kishte kërkuar që operatori ekonomik të ofrojë çmimin për njësi për secilin pozicion në paramasë, ndërsa oferta e dorëzuar nga operatori ekonomik nuk kishte plotësuar paramasën sipas kërkesave të dosjes së tenderit, por kishte plotësuar vetëm vlerën në total për komponentë.
“Po ashtu vërtetimi tatimor i dorëzuar nga operatori ekonomik nuk ishte valid. Menaxhmenti i kishte dorëzuar operatorit ekonomik ftesën për pjesëmarrje në tender me datën 9 dhjetor 2022, operatori ekonomik e kishte dorëzuar vërtetimin tatimor të datës 5 tetor 2022, ndërsa kontrata ishte nënshkruar me 24 shkurt 2023 në vlerë 56,522,000 euro. Menaxhmenti nuk e kishte kërkuar edhe njëherë vërtetimin tatimor të operatorit ekonomik para nënshkrimit të kontratës” – thuhet në gjetjen e Auditorit.
Tutje, Auditori ka gjetur se te 9 raste në vlerë totale prej 1 milionë e 895 mijë e 2023 euro ishin nënshkruar kontratat përmes procedurës së negocimit, për shkak të situatave emergjente në të cilat ishte kompania.
Këto kontrata, thotë ZKA-ja, kishin të bëjnë me shërbime dhe furnizime të ndryshme si ruajtja dhe sigurimi i objekteve të kompanisë, sigurimi shëndetësor për punonjësit e kompanisë, transporti i punonjësve të kompanisë, furnizimi me mazut, furnizimi me acid klorhidrik, konsulencë ligjore, shërbime për zhvendosjen fizike dhe ekonomike për një pjesë të fshatrave të Komunës së Obiliqit.
Auditori ka thënë se arsyet e ofruara nga KEK-u për nënshkrimin e këtyre kontratave përmes procedurës së negociuar nuk kanë qenë bindëse.
“Arsyet e ofruara nga kompania nuk ishin bindëse dhe nuk kishin të bëjnë me situata ekstreme emergjente që nuk mund të parashikoheshin. Për më shumë i atribuohen mosplanifikimit të duhur dhe neglizhencës ashtu siç kishte dhënë opinion Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), në tre prej këtyre rasteve” – thuhet në gjetjen e Auditorit.
Rekomandimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit për KEK-un ka qenë që Bordi i Drejtorëve duhet të forcojë procesin e planifikimit të aktiviteteve të prokurimit, në mënyrë që të shmang maksimalisht përdorimin e procedurave për negocim pa publikim të njoftimit për kontratë.
“Po ashtu Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që nënshkrimi i kontratave me operatorët ekonomik bëhet vetëm pasi që të përmbushen të gjitha kushtet e dosjes së tenderit, në këtë rast formulari i përshkrimit të çmimit dhe vërtetimi i lidhur me gjendjen e obligimeve tatimore duhet të jetë në harmoni me kërkesat e ligjit të prokurimit” – thuhet në rekomandimin e ZKA-së.
KEK-u nuk është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.
Ata kanë thënë se Zyra e Prokurimit bën përpjekje të vazhdueshme që të evitojë përdorimin e procedurave të negociuara për situata emergjente, si dhe në disa raste i përdorë ato për shkak të detyrimeve teknike.
“Në rastin konkret Zyra e Prokurimit ka përdorur afatin përshpejtuar për vlerë të madhe (mbi 500,000 euro) e që me rregullore afati minimal është 15 ditë. Pra afati prej 17 dite është në përputhje me rregullore të prokuirmit publik e që kjo është bërë që të repsketojë të gjitha afatet ligjore që përfshihen pas hapjes së tenderit” – thuhet në komentin e KEK-ut.
Në lidhje me këtë arsyetim ZKA kanë thënë se “nuk është relevant”.
“Ligji i prokurimit publik nuk e lejon shkurtimin e afateve minimale të përcaktuara me ligj dhe kjo situatë nuk kishte të bënte me situata ektreme emergjente që nuk mund të parashikohen nga entiteti por me një mosplanifikim të duhur të kohës së kryerjes së projekteve kapitale” – theksohet nga ZKA.
KEK-u ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për KEK-un në raportin vjetor për pasqyrat financiare për vitin 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.
Raporti i vitit 2023 për KEK-un ka rezultuar me katër rekomandime të reja, tri pjesërisht të përsëritur dhe një rekomandim pjesërisht të përsëritur.
Në raportin e vitit 2022, KEK-u kishte marrë 15 rekomandime. Deri në fund të përfundimit të auditimit në fund të vitit 2023, KEK-u kishte zbatuar 12 rekomandime, dy rekomandime ishin pjesërisht të zbatuara dhe një i pazbatuar.
/Kallxo.com