Search

AMMK: Publikohet Raporti Emetimi i Gazrave Serrë në Kosovë – energjia burimi kryesor i emetimeve të gazrave serrë

30 Qershor, 2021


Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka publikuar Raportin për Emetime të Gazrave Serrë në Kosovë që mbulon periudhën prej 2014 – 2019, ku ka vlerësuar se sektori i energjisë është burimi kryesor i emetimeve të gazrave serrë me pjesëmarrje prej 86%.

Në njoftimin e publikuar nga vetë agjencioni thuhet se në kuadër të monitorimit të emisioneve të gazrave serrë, Kosova deri me tani ka përgatitur inventarin e gazrave të serrës për periudhën kohore 2008-2019.

Ky është raporti i dytë i këtij formati. Fillimisht ishte përgatitur raporti për vitet 2008-2013, ndërsa në kuadër të këtij raporti janë përfshirë vitet 2014-2019.

Industria e energjisë 73 %, prinë si ndotësi më i madh në kuadër të konsumit të lëndëve djegëse, ndjek transporti me 15%

Sipas raportit, sektori i energjisë, përfshin rreth 86% të emetimit të përgjithshëm të gazeve serrë në Kosovë ose 8659 Gigagram dioksid karboni, që ndryshe mund të përkthehet në 8659000-ton CO2.

Përpiluesit e raportit kanë nënvizuar se emisionet e gazrave serrë për këtë sektorë janë përllogaritur sipas metodologjisë IPCC dhe CRP, duke zbatuar faktorët e emisionit relevant sipas TIER 1.

Në këtë mënyrë, sektori i energjisë i përket kategorisë së parë sipas IPCC dhe përbëhet nga tre nën-sektorë apo kategori të tjera.

Nën sektori i parë 1.A përfshinë emetimin nga aktivitetet nga konsumi i lëndëve djegëse (karburanteve).

Këtu bëjnë pjesë kryesisht emetimet nga përdorimi i lëndëve djegëse për prodhimine energjisë elektrike, ngrohtoret, transporti rrugor dhe industritë prodhuese, ku edhe vijnë sasitë kryesore te emetimit te CO2 në sektorin e energjisë.

Më sakt, raporti ka vlerësuar se nga ky nën sektor vijnë 8624 CO2eq, apo 99,95 % e totalit ku dominonë sektori i industrisësë energjisë me 73% të emetimeve totale të sektorit të energjisë apo 6316 Gg CO2 eq., i pasuar nga transporti me 15% të emetimeve (1337 Gg CO2eq.), industria e prodhimit dhe ndërtimit me 7% (561 CO2Gg eq.) të emetimeve dhe sektorët tjerë të energjisë me 5% (410 CO2Gg eq.).

Ndërkaq, kategoria pasuese 1.B përfshinë emetimet që vijnë nga eksplorimi, shfrytëzimi, dhe shpërndarja e lëndëve djegëse. Sipas dokumentit kjo kategori nuk përbënë një burim të rëndësishëm të shkarkimeve të gazrave serë në Kosovë me 35 CO2eq.,apo vetëm 0,5 %, me emetimet që vijnë kryesisht nga minierat e braktisura (të vogla) dhe minierave të hapura sipërfaqësore (linjiti).

Poashtu, nën-sektori 1.C që përfshinë emetimet nga ruajtja dhe transporti i Dyoksidit te Karbonit, është konsideruar si jo relevantë për Kosovën, nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

CO2 dominues në kuadër të ndotësve nga sektori i energjisë, sipas AMMK viti 2016 shënoj emetimet më të larta

Tutje, të dhënat e publikuara nga raporti i përgatitur nga AMMK lënë të kuptojnë se sa i përket gazrave të emetuara nga sektori i energjisë, CO2 dominon me 99.95 % të totalit, ndërsa metani ka pjesëmarrje me vetëm 0.5%.

Mirëpo, raporti poashtu ka nënvizuar se në bazë të të dhënave që mbulojnë periudhën 2014 – 2019, në Kosovë ka pasur luhatje të gazrave serrë ndër vite.

Të dhënat theksojnë se viti 2014 ka emetimet më të ulëta (7594 Gg CO2eq.), ndërsa viti 2016 me emetimet më të larta (9327 Gg CO2).

Viti 2019 me 8659 Gg CO2 eq.,shënon një tendencë të rritjes së emetimeve krahasuar me vitin paraprak 2018 (8509Gg COeq), ka vlerësuar raporti.

Ndërsa kanë bërë të ditur që burimi kryesor i këtyre të dhënave për këtë sektorë janë bilancet e energjisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovësdhetë dhënat nga Korporata Energjetike e Kosovës.

AMMK propozon zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë si masë për uljen e emetimeve

Dokumenti i përpiluar nga Agjencioni për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës në përbërje kishte edhe disa mundësi, në raport u cilësuan kryesore, për uljen emetimeve nga ky sektor.

Mundësitë kryesore për reduktimin e emisioneve nga ky sektor janë rritja e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë: energjia diellore, energjiae erës, ujit.

Tutje, dokumenti poashtu përmendi edhe reduktimin e përdorimit të thëngjillit për prodhim tëenergjisë, zbatimi i masave për zvogëlimin e konsumit të lëndëve djegëse në sektorin e amvisërisë.

Sidhe, zbatimin e standardeve EURO për regjistrimin e veturave, përdorimi i transportit publik dhe promovimi i transportit të qëndrueshëm me më pak trafik motorik, çiklizëm etj.

Për të parë raportin e plotë të punuar dhe publikuar nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, mund të klikoni këtu.