Search

Alarmon kryetari i Odës Ekonomike: Nëse rriten tarifat e energjisë elektrike, bizneset do të rrisin çmimet

11 Gusht, 2022


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka folur rreth çmimit të energjisë ku po parashihet të rritet përsëri, pasi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar të martën një Aplikim për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal, KESCO, raporton GazetaBlic.

Rafuna nuk e sheh të arsyeshme një gjë të tillë. Në një prononcim për GazetaBlic, ai thotë se nëse është në plan rritja e energjisë elektrike, atëherë edhe bizneset do të rrisin çmimet e produkteve.

Në anën tjetër, Rafuna cek faktin se Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka marrë ende ndonjë dokument i cili paralajmëron rritjen e energjisë elektrike.

“Oda Ekonomike e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë dokument i cili e paralajmëron rritjen e rrymës për biznese, por nese është në plan rritja e rrymës edhe per biznese padyshim që do të ketë efekt në punën e biznesit, për arsye se prodhimin apo shërbimin e tyre menjëheë do ta bëjë më të shtrenjtë dhe më jokonkurrent si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, tha Rafuna.

Rafuna thotë se e vetmja mënyrë për të zbutur mundësinë për rritjen e energjise elektrike dhe në mënyrë që mos të dëmtohen bizneset është një bisede mes këtyre të fundit dhe Qeverisë.

“Ka shumë hapa apo mundësi që Qeveria mund të marë për ta zbutur ndikimin e mundësisë së rritjes së rrymës te biznesi, por për ta gjetur mënyrën më të mirë duhet të bisedojnë me biznesin, vetëm përmes dialogut Biznes – Qeveri mund të arrijmë te zgjidhja më e mirë e mundshme për situatën që gjendemi sot”, tha Rafuna për GazetaBlic.