Search

Abdixhiku: Kur u shtrenjtu rryma te ne, çmimi në berzë ishte 300 euro – sonte është 20 euro

27 Dhjetor, 2023


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për rritjen ekonomike dhe rritjen e inflacionit në vend.

Sipas tij, nga viti 2013 deri në vitin 2019, rritja ekonomike ka qenë mesatarisht 4.7 për qind, ndërsa nga 2022 deri më 2023, rritja ka qenë mesatarisht 3.7 për qind.

“10 vitet e kaluara, rritja mesatare ka qenë 4.7 për qind, ndërsa në dy vitet e fundit mesatarja është 3.7 për qind”, deklaroi Abdixhiku në Rubikon të Klan Kosova.

Ai tha se kjo rritje nuk është e mjaftueshme, pasi, siç u shpreh kreu i LDK-së, rritja duhet të jetë 6 për qind.

Tutje, ai foli edhe për inflacionin, teksa tha se sot, për t’i pasur 106 euro vlerë para të para tre viteve, duhet t’i kesh 127 euro.

“Sot, për me i pas vlerë 106 euro sa kanë bërë para tre viteve, duhet t’i kemi 127 euro. Po flasim në mesatare, ku futen edhe pushimet, investimet… nuk po flasim për shportën bazike të konsumatorit, sepse ajo është mbi 60%”, tha ai, raporton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, Abdixhiku foli edhe për deficitin tregtar, për çka tha se aktualisht është 5 miliardë euro.

“Kemi folur shumë se si paraja po shkon jashtë Kosovës. Kur kanë ardhë këta në qeveri, deficiti tregtar në Kosovë ka qenë 2.8 miliardë, por të themi se ka qenë 3 miliardë para pandemisë. Sot është 5 miliardë! 2 miliardë euro më shumë ikin për tre vitet e fundit gjatë kësaj qeverisjeje. Kjo është e pariparueshme”, tha kryetari i partisë opozitare, LDK.