Search

Blinken kërkon vëmendjen e kryeministrit Kurti për të arritur marrëveshje për rrymën në veri

14 Janar, 2022


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka shkruar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Bashkë me letrën erdhën edhe disa kërkesa për kryeministrin, e ndër to edhe arritja e një marrëveshjeje për rrymën në veri.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar z. Blinken në letrën e tij për kryeministrin Kurti.

Ndryshe, një pjesë e madhe e letrës së Blinken për kryeministrin Kurti ka të bëjë me dialogun me Serbinë.

Përveç dialogut, në letër përmendet edhe disa tema tjera si: sundimii i ligjit, mbrojtja e të drejtave të minoriteteve dhe nxitja e rritjes ekonomike.

Furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore është një problem i pazgjidhur që prej vitit 1999. Që nga kjo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk kanë paguar për energjinë elektrike që e kanë shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës. Vetëm nga fundi i vitit 2017 e deri në fund të vitit 2020 vlera e humbjeve në veri llogaritet të jetë rreth 40 milionë euro.

Një kohë, mjetet për të mbuluar energjinë e shpenzuar në veri, KOSTT-i e ka siguruar përmes tarifave të energjisë elektrike. Për rrymën e shpenzuar në atë pjesë, nga viti 1999 deri në vitin 2017, janë faturuar për 3.5 për qind më të shtrenjta faturat e qytetarëve në pjesë tjera të Kosovës.