Search

Dobruna – Kryeziu: Kosova s’rrezikohet nga kriza energjetike

25 Nëntor, 2021


Ekspertja e energjisë dhe ish-drejtoresha e Korporatës Energjetike të Kosovës, Pranvera Dobruna-Kryeziu ka thënë se Kosova nuk rrezikohet nga kriza energjetike, por nga kriza e politikave.

Ajo në emisionin “Frontal”, në T7, tha se për shkak të mosplanifikimit adekuat gjendja ka ardhur në këtë pikë.

“Ne nuk jemi në krizë energjetike, sepse energji ka në rajon, por sa është e përballueshme ajo për qytetarët është çështje tjetër. Ajo nuk quhet krizë energjetike, por është një mosplanifikim adekuat që e ka lejuar që të vjen deri këtu’, tha Dobruna – Kryeziu.

Ajo theksoi se vendi ka krizë të politikave, pasi që me ngul ka ndërprerë të gjitha projektet e rëndësishme të sigurimit të energjisë bazë.

‘Një kohë të gjatë, Kosova nuk ka qenë nën ndikimin e burimeve të ripërtrishme, e cila me ngul i ka ndal projektet e thëngjillit, të ujit, tani të gazit. Është një qasje kundër të gjitha projekteve që të ofrojnë energji bazë. Prandaj Kosova nuk ka krizë energjetike por ka krizë të politikave”, ka thënë ajo, në emisionin “Frontal”, në T7.

Ndryshe, Dobruna-Kryeziu tha se nuk mund të ketë krizë energjetike pasi energji ka në rajon, por se ajo duhet të jetë e planifikuar paraprakisht dhe se është shumë e rëndësishme që KOSTT të jetë në gjende të përballojë të gjitha rrjedhat e energjisë që janë të nevojshme.

“Është problem me u siguru energjia, nëse nuk është planifikuar paraprakisht. Nëse e planifikon paraprakisht, sipas bilancit energjetik nuk është vështire me siguru energjinë. Energji ka në rajon. Me rëndësi është me pasë KOSTT-in e fortë, me u implementu të gjitha projektet në mënyrë që KOSTT-I me qenë në gjendje me i përballu të gjitha ato rrjedha të energjisë që janë të nevojshme. Kësisoji, sistemi mundet me operu me ato kapacitete që kemi dhe me importe”, tha Dobruna-Kryeziu.