Search

Bordi i ZRRE mban seancën e tretë, nuk ka rritje të çmimeve për konsumatorët fundor në 2021

08 Tetor, 2021


Më 7 tetor 2021, në seancën e tyre të tretë për vitin 2021, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka vazhduar licencën e KESCO për furnizim me shërbim universal të konsumatorëve dhe ka aprovuar të hyrat maksimale të lejuara për KESCO, KEDS dhe KOSTT.

Obligimi për furnizim me shërbim universal të konsumatorëve për operatorin KESCO është vazhduar deri më 31 mars 2022.

‘Gjithashtu, Bordi ka aprovuar të Hyrat e Lejuara Maksimale për operatorët e rregulluar (Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT; Operatori i Sistemit të Shpërndarjes/KEDS dhe Operatori për Furnizim me Shërbim Universal FSHU/KESCO). Të Hyrat e Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU/KESCO janë aprovuar në vlerë prej 290.1 milion€, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT janë aprovuar në vlerë prej 38.94mil€, për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes/KEDS janë aprovuar në vlerë prej 90.51mil€. Këto të hyra do t’u mundësojnë operatorëve kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale’, ka sqaruar ZRRE në komunikatën për media.

Ndryshe, ZRRE ka njoftuar se ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve, pork a njoftuar se të hyrat e lejuara për operatorët nuk do të reflektojnë në ngritje të çmimeve të rrymës për konsumatorët fundor në vitin tarifor 2021.

‘Megjithatë rritja e të hyrave, si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ka neutralizuar kostot e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, prandaj të hyrat e lejuara nuk do të reflektojnë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundor në vitin tarifor 2021’, ka shkruar ZRRE në komunikatën për media.

Në të njejtë seancë, anëtarët e bordit të ZRRE kanë refuzuar kërkesat për shtyerje të afatit të Autorizimit Final për ndërtim të kapaciteteve të reja për kompanitë ‘AFA Energy’ dhe ‘2 Korriku’,
për shkak se kanë skaduar të gjitha afatet e parapara me Rregullën për Procedurën e Autorizimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë.

Bordi gjithashtu ka shqyrtuar raportin e monitorimit për shitjet e energjisë elektrike nga Hidrocentrali “Ujman” me ç ‘rast ka vendosur që të gjeturat nga ky raport t’i dërgohen si njoftim këtij operatori dhe në seancën e ardhshme të procedohen në përputhje me ligjet dhe Rregullën për masa dhe gjoba administrative.

ZRRE ka njoftuar se ka shqyrtuar po ashtu edhe disa ankesa të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me menaxhimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE.