Search

Kurti paralajmëron dekadë ndryshe për energjetikën

07 Korrik, 2021


Vendime të rëndësishme në fushën e energjetikës ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ato pritet të merren sivjet, por pasi të hartohet plani dhe të rishikohet ligji në fushën e energjisë.

Sipas shefit të qeverisë, strategjia e re do ta determinojë këtë sektor për dhjetë vjetët e ardhshme, ndërsa do të ndikojë në rritje të punësimit.

“Kjo strategji me implementim të krijojë vende të shumta pune, hapësirë për investime duke lehtësuar proceset, të aktivizojë shoqërinë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje si dhe të krijojë mundësi punësimi për ta”, deklaroi ai në punëtorëinë “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se tranzicioni në këtë fushë duhet të bëhet me kujdes.

“Të identifikojmë skenarët e duhur për një tranzicion energjetik dhe analiza e tyre kritike duke u bazuar në përputhshmërinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë me energji si dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji si dhe qëndrueshmërinë dhe përballueshmërinë financiare”, tha ajo.

Sipas programit qeverisës 2021-2025, në Kosovë nuk pritet të ndërtohet ndonjë termocentral i ri.

Teksa për një plan të vjetër, atë të Kosovës së Re, shteti është në përballje me kompaninë amerikane Contour Global në Gjykatën e Arbitrazhit, e cila ka kërkuar dëmshpërblim prej 20 milionë eurove.