Search

ZRRE prezanton rregullën për prosumatorët: Rrymën tepricë të prodhuar prosumatorët mund t’a injektojnë në rrjet

23 Shkurt, 2023


Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur një takim publik me institucionet e sektorit të energjisë, zhvilluesit, bankat, shoqatat e biznesit, odat ekonomike dhe organizatat ndërkombëtare të zhvillimit për të shqyrtuar draft rregullën për prosumatorët me burimet të ripërtëritshme të energjisë (Rregulla për Prosumatorët).

Kjo draft rregull është hartuar për të promovuar zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme dhe për të rritur sigurinë e furnizimit në Kosovë.

Ajo ka për qëllim të sigurojë çmime të përballueshme të energjisë elektrike, duke ofruar gjithashtu përfitime mjedisore, sociale dhe shëndetësore, si dhe të lehtësojë rritjen e biznesit dhe mundësitë e punësimit..

“Me hartimin e Rregullës për Prosumatorë, ZRRE-ja njeh rolin e rëndësishëm që kanë zhvilluesit dhe konsumatorët e energjisë së ripërtërishme në tranzicionin e energjisë duke përqafuar teknologji të reja, të qëndrueshme që promovojnë dekarbonizimin dhe zvogëlojnë kostot e energjisë përmes pjesëmarrjes aktive në tregun e energjisë së ripërtërishme”, ka thwnw ZRRE nw komunikatwn pwr media.

Draft Rregulla për Prosumatorët ofron rregullim të nivelit të avancuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të integruar për çështjet kryesore që kanë të bëjnë me vetëkonsumin.

Njëherësh ofron një kornizë rregullative e përshtatshme dhe e mjaftueshme për të avancuar kërkesat në rritje në këtë pjesë të rëndësishme dhe në rritje të sektorit të ripërtëritshëm në Kosovë.

Draft Rregulla përcakton kritere të qarta, kushte teknike dhe të drejtat dhe detyrimet e konsumatorëve vetë-gjenerues.

“Konsumatorët tani kanë një bazë ligjore të përcaktuar për të gjeneruar energjinë e tyre dhe mund të përfitojnë si nga kursimet e kostos nga vetë-prodhimi ashtu edhe nga injektimi në rrjet i energjisë së tepërt të prodhuar por që nuk përdoret nga ta”, thuhet nw komunikatw.

“Rregulla e re për Prosumatorët lejon të gjitha kategoritë e konsumatorëve të marrin pjesë aktive në sektorin e energjisë duke prodhuar vetë (energji elektrike). Duke ndihmuar në promovimin e rritjes së numrit të prosumatorëve, Rregulla e re në mënyrë indirekte do të ndihmojë në uljen e kërkesës së përgjithshme për energji elektrike në mbarë Kosovën, duke reduktuar nevojën për nivele më të larta të importeve të shtrenjta të energjisë,” shpjegoi Ymer Fejzullahu, Kryesues i Bordit të ZRRE-së.

Rritja e numrit të prosumatorëve do të thotë një rritje në pjesën e prodhimit të energjisë së ripërtërishme duke mbështetur kështu edhe procesin e dekarbonizimit.

Për më tepër, draft Rregulla për Prosumatorët e ndërlidhur me Ligjin në pritje për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (Ligji i BRE) do të konsolidojë më tej legjislacionin e Kosovës për energjinë dhe do të ofrojë më shumë qartësi dhe besim për investitorët dhe bizneset që realizojnë vetë-gjenerim me burime të ripërtërishme

Për më shumë informacion mbi draft Rregullën për Prosumatorët, ju lutemi vizitoni: www.ero-ks.org