Search

ZRRE dënon KEK me 3.2 milion Euro

08 Maj, 2023


Bordi dënon KEK me €3.2 milion si dhe KOSTT me €439 mijë.

Gjatë mbledhjes së katërt të Bordit të ZRRE për këtë vit është marrë vendimi për KEK SH.A dhe KOSTT SH.A.

“Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro per Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).” thuhet në deklaratën e ZRRE.

ZRRE ende nuk ka dhënë informata në lidhje me arsyen e dhënjës së këtyre masave administrative.

Mirëpo gjatë takimit janë marrë dhe vendime pozitive

Në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar 15 kërkesa të konsumatorëve për autorizim për vet-konsum nga të cilat 4 vijnë nga ndërmarrjet dhe 11 nga personat fizik me gjithsej 268 kW.

Janë aprovuar kërkesat për vazhdimin e Licencës për furnizim me energji elektrike të ndërmarrjes Future Energy Trading and Exchange Dynamics dhe Licencës për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të ndërmarrjes Danske Commodities Kosova, si dhe është miratuar kërkesa për dhënie të Licencës për furnizim me energji elektrike të ndërmarrjes Sharrcem.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.