Search

Zëvendësministri mori pjesë në takimin joformal të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë

04 Korrik, 2024


Zëvendësministri i Ekonomisë i Republikës së Kosovës, Getoar Mjeku mori pjesë në takimin joformal të këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë i cili është mbajtur në Bosnje e Hercegovinë.

Në këtë takim është diskutuar për integrimin e tregut të energjisë elektrike dhe detyrimet klimatike e mjedisore.

Zv.ministri Mjeku në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, njoftoi për ndryshimin e ligjeve të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës, bashkimin e tregut energjetik Kosovë–Shqipëri si dhe për përpjekjet e integrimit të mëtejmë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai gjithashtu, foli rreth miratimit të ligjit mbi ndryshimet klimatike, rreth studimeve të nevojshme për çmimin e karbonit, si dhe rreth përkushtimit ndaj mjedisit, mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik.

Ndryshe, Këshilli i Ministrave është institucioni që përfaqëson qeveritë e Palëve në Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe është organi më i lartë vendimmarrës i Komunitetit të Energjisë.

I themeluar në vitin 2006, Komuniteti i Energjisë lidh Bashkimin Evropian me vendet fqinje, përfshi 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.