Search

Vendimi i gjykatës për pagesat në veri detyron KEDS të kthejë 40 milion euro konsumatorëve për 15 ditë

12 Tetor, 2021


Gjykata Themelore e Prishtinës të hënën ka vendosur ta anulojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për t’ua paguar rrymën katër komunave në veri të Kosovës gjatë viteve 2012-2017.

Kjo u bë, pas kërkesëpadisë së bërë nga Zyra e Avokatit të Popullit.

“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarr veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga 06.02.2012 e deri më 20.10.2017, në vlerën prej 40.855.480 milionë euro.”, thuhet në vendim.

Dëmi i shkaktuar konsumatorëve të pjesëve tjera të Kosovës, si rrjedhojë e energjisë elektrike, të cilat nuk iu faturuan konsumatorëve të Veriut të Mitrovicës, është përcaktuar nga eksperti financiar Riza Blakaj.

Kurse e gjithë shuma obligohet të kthehet në afat prej 15 ditëve, sipas vendimit ZRRE detyrohet që të ndërmarr veprime që e shtyjnë KEDS-in ta bëjë një gjë të tillë, në rast se nuk ka ankesë në apel.

Mirëpo nga KEDS të hënën e mohuan se do të jenë të obliguar ta bëjnë këtë gjë.

Sipas zëdhënësit, Viktor Buzhala, të gjitha vendimet i takojnë ZRRE-së.

Nga ZRRE në seancën e mbajtur, konsideruan se një kërkesë e tillë është e papranueshme.

“Konsiderojmë se kërkesa e tillë është e papranueshme dhe si e tillë duhet të hedhet si e palejueshme, pasi që ZRRE vepron vetëm si organ administrativ i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe detyrat e saj janë të përcaktuara me Ligjin për Energji”, tha Ymer Fejzullahu, i autorizuar nga ZRRE.

Suzana Gashi, drejtoreshë e Departamentit për Çështje Juridike, ka thënë në Info Magazinë të Klan Kosovës, që një vendim i tillë shkel disa të drejta të cilat janë të paraqitura në raportin e Avokatit të Popullit.

“Këtë vet pala e paditur nuk e ka mohu, vet pala e paditur e ka pranu që u faturu, esenca ka qenë që një faturim i tillë nuk ka qenë i ligjshëm”, tha ajo.

Kujtojmë, me 6 maj të këtij viti, Qeveria e vendit ndau 11 milionë euro KOSTT-it, për pagës të rrymës banorëve të veriut të vendit.