Search

Turqia pritet të ratifikojë Marrëveshjen e Parisit para samitit të klimës COP26

07 Tetor, 2021


Turqia ka bërë një hap para drejt ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit për ndryshime klimatike pasi komiteti parlamentar për çështje të jashtme i këtij vendi votoi për miratimin e një projektligji për të mundësuar ratifikimin. Projektligji pritet të kalojë procesin e votimit në parlamentin turk deri në fund të këtij muaji, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Në mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti, presidenti turk Rexhep Erdogan kishte thënë se vendi i tij synon ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit para konferencës së UN për ndryshime klimatike (COP26), që pritet të mbahet në Glasgou nga 31 tetori deri më 12 nëntor.

Ministri i mjedisit në Turqi, Murat Kurum, më herët kishte thënë se Turqia pritet të ndërmerrë një numër veprimesh për mjedisin pas ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit. Ai ka thënë se kësisoji, në konferencë do të dëshmohet se Turqia është e përkushtuar të luftojë ndryshimet klimatike.

Kurum gjithashtu ka informuar se Turqia do të themelojë një këshill mbi klimën në fillim të vitit tjetër, që do të mbledhë të gjitha palët dhe ekspertët e të gjithë sektorëve në ekonomi për të diskutuar dhe vendosur mbi mënyrën e dekarbonizimit të vendit.

Ai gjitashtu ka konfirmuar se Turqia tashmë ka përgatitur një plan veprimi për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe se po punohet në themelimin e sistemit për tregtim të emetimeve dhe në ligjin për ndryshime klimatike.

Turqia ka thënë se është duke synuar të ulë emetimet e gazrave serrë për 21% deri në vitin 2030, ndërsa dekarbonizimin e plotë më 2053.