Search

Tërnava: Taksa e karbonit do të dyfishojë çmimin e rrymës elektrike

24 Nëntor, 2020


Instituti për Politika Zhvillimore INDEP ka mbajtur sot tryezën e titulluar ‘Politikat fiskale dhe Agjenda e Gjelbër’, në kuadër të ngjarjeve që kanë për qëllim promovimin e efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme, financuar nga GIZ dhe Qeveria Gjermane.

Përgjatë diskutimit, folësit elaboruan në tërësi kornizën ligjore për mbështetje të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, me theks të vecantë të burimeve solare.

Në diskutim munguan përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, ndonëse ishin të ftuar të elaboronin mbi politikat fiskale të sektorit të energjisë.

Tërnava: Pandemia ndikoi në sjellje të konsumatorëve, ka më shumë hezitim për investim në sisteme fotovoltaike

I pyetur rreht nivelit të interesimit për investim në panele solare në kohë të krizës pandemike, Trim Tërnava, ekspert i cështjeve të energjisë së ripërtritshme tregoi se situata e krijuar nga pandemia ka ndikuar në sjellje të konsumatorëve, të cilët tani hezitojnë më shumë të investojnë në sisteme fotovoltaike në amvisëri dhe në sektorin komercial.

Sipas Tërnavës, Kosova ka potencial të prodhimit energjetik nga burime solare. Ky potencial mund të krahasohet edhe me vende lidere të fushës, sikurse Gjermania.

Ai theksoj se procesi i dekarbonizimit është i pashmangshëm, dhe për të mundësuar këtë, Kosova duhet të intensifikojë investimet në burime të ripërtëritshme.

“Siç e dini, Kosova është pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe një pikë kryesore e këtyre marrëveshjeve është përkushtimi i vendit për dekarbonizim. Gjithë që merren me energji e dijnë që dekarbonizimi nuk arrihet pa pasur investime ne burime gjeneruese të ripërtërishme, efiçenca është diçka tjetër, por dekarbonizimi ndodh direkt përmes mënyrës se si e prodhon energjinë elektrike”, tha Tërnava.

Tërnava: Kosova mbulon 90% të nevojave energjetike përmes termocentraleve

Tërnava theksoi se mbi 90% të nevojave të veta të energjisë i mbulon përmes termocentraleve, e përmes tyre, nuk mund të ketë dekarbonizim. Ai ritheksoj se politikat energjetike të Evropës janë të bazuara në dekarbonizim.

Sipas Tërnavës, Evropa synon që 8 – 10% e konsumit final energjetik të bazohet në ‘prosumers’, të cilët janë konsumatorë që prodhojnë një pjesë të energjisë elektrike për nevoja dhe shfrytëzim vetanak.

“Politikat shtetërore të të gjitha vendeve të Evropës janë të orientuara në dy drejtime, e para është projektet e mëdha, Large Scale, kryesisht përmes ankandeve në mënyrë që të arrihet burim i energjisë me çmim sa më të ulët, por edhe e dyta paralelisht është rritja e Prosumers apo konsumatorëve prodhues apo ndryshe projekteve të vogla të shpërndara”.

Ai kritikoi procedurën dhe burokracitë që përcjellin procesin e arritjes së vendosjes së paneleve solare, qoftë për vetkonsum apo edhe për projekte të mëdha. Ai rikthesoj se procedurat për licencim janë të njejta. ‘Nuk ka rëndësi a je biznes apo shtëpi apo si është madhësia e projektit duhet të ndjekësh rrugën e njejtë”, tha Tërnava.

Tërnava: Kosova duhet të përcaktojë takësn e karbonit, kjo do të dyfishojë çmimet

Në lidhje me të ardhmën energjetike, Tërnava shpreson që Kosova do të prezantojë taksën e karbonit e cila do të ndikojë në dyfishim të çmimit aktual të energjisë elektrike.

“Kosovën ndoshta e prek mësëshumti nga të gjitha vendet e Evropës për shkak se Kosova është 90% e varur nga termocentrali. Tash sipas studimit preeliminar thuhet se taksa e karbonit do të jetë dikun 25 euro për MWh, ndërsa për momentin KEK’u e shet për energjinë 28-9 euro, që i bjen që pothuajsë do të ketë dyfishim të rritjes së çmimit të energjisë elektrike vetëm me këtë taksë të karbonit, në qoftëse nuk kalojmë në burime alternative”, tha Tërnava.

Ai tha se për momentin termocentralet në Kosovë prodhojnë dhe bëjnë shitjen e energjisë elektrike me cmim të ulët, por kjo do të ndryshojë shumë shpejt për shkak të politikave Evropiane dhe taksës së karbonit në vecanti.

Tërnava disa herë theksoi potencialin e jashtzakonshëm të Kosovës për zhvillim të burimeve të ripërtëritshme, e vecanërisht të atyre fotovoltaike.

Tërnava: Kosova ka potencial të jashtzakonshëm për zhvillim të burimeve fotovoltaike

“Kemi rrezatim të jashtëzakonshëm diellor nëse krahasohemi me vendin lider në Evropë dhe në Botë Gjermanin ne kemi 30 deri në 35% më shumë diell, kështuqë automatikisht pika e parë, pozita gjeografike e bënë Kosovën vend shumë të favorshëm për investime të tilla”, tha Tërnava.

“Së fundmi është bërë edhe një studim nga Banka Botërore, që thotë që Kosova mundet pa problem me integru 100 deri në 150 më në rrjetin e distribucionit, do të thotë projekte të vogla dhe të mesme pa ndonjë kosto të madhe në rrjet”, tha Tërnava.

Ai theksoi se prodhimi i energjisë elektrike nga burime solare është ndër opcionet më së paku të kushtueshme në Kosovë, dhe se termocentralet askund në botë nuk tolerohen të operojnë mbi 45 vite.

Tërnava: Ankandet e hapura do të ndikojnë në zvogëlim të çmimit të burimeve të ripërtëritshme

Tërnava mirëpret tranzicionin nga skema mbështetëse e energjisë së ripërtëritshme në ankande të hapura. Përmes saj, duke u bazuar në konkurrencë, Tërnava thotë se Kosova siguron energji elektrike më pak të kushtueshme.

“Skema e ankandeve është vërtetuar në të gjithë botën si skema që nxjerrë çmimin më të mirë të energjisë elektrike, çmimin më të ulët, dhe që e kanë koston apo efektin më të vogël te konsumatori i fundit. Kosova është duke shkuar shumë ngadal në këtë drejtim, Shqipëria për 1 vit e gjysëm ka bërë ankandin e tretë, dhe ne pritet që vitin e ardhshëm të fillojmë me të parin”.