Search

Termocentrali ‘Kosova e Re’ ende dominon debatet për sektorin energjetik në Kosovë, paqartësi rreth sigurisë energjetike

06 Korrik, 2021


Është mbajtur konferenca “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, të hënën, më 5 korrik 2021.

Në kuadër të konferencës ishin organizuar dy panele në orare të ndryshme, ndërsa në panelin e dytë u shpalosën tri qëllime kyçe të “Sustainable Development Goals”, të cilat janë: Shëndeti dhe mirëqenia e mirë e popullatës, energji e pastër dhe financiarisht e përballueshme, si dhe qytete dhe komunitete të qëndrueshme.

Diskutimi në masë të madhe u mbizotërua nga paqartësia e orientimit të investimeve në sektorin e energjisë. Teksa siguria energjetike u përmend se mund të sigurohet me anë të një termocentrali të ri, në prizmin tjetër të argumentit u argumentuan edhe ndikimet e pamohueshme shëndetësore, ndonëse jo të dokumentuara në mënyrë adekuate në Kosovë, të përdorimit të thëngjillit.

Tutje, panelistë të tjerë kundërshtuan idenë e zhvillimit të kapaciteteve të reja të thëngjillit dhe theksuan se burimet alternative dhe efiçensa e energjisë duhet dhënë shans dhe mendim i mirëfilltë.

Për të diskutuar për objektivat e qëndrueshëm, të ftuar ishin: Albena Reshitaj, deputete e kuvendit të kosovës, Shend Boshnjaku, drejtor ekzekutiv i Green Energy Kosova, Hana Xhemajli, hulumtuese e politikave shëndetësore, Në zoom ishte edhe Viktor Berishaj, koordinator i politikave për Evropën Jug-lindore .

Albena Reshitaj: Jo gjithmonë Kosova duhet të shikojë vetëm përafrimin e legjislacionit mjedisor me atë të BE

Ndonëse në munges të një plani adekuat dhe të detajuar, Reshitaj ka thënë se problemeve mjedisore në Kosovë iu dihet shkaktari dhe sipas saj, shteti do të duhej të merrej me to.

Tutje ajo theksoi si shumë të rëndësishme që të identifikohen shkaktarët, të bëhen hulumtime dhe studime të ekspertëve, mbi çështjet mjedisore, dhe më pastaj të shikohen të hartohen ligjet me standardet e BE.

“Mirëpo, duke u nisë edhe nga eskperienca që kam pasë në Ministrinë e Mjedisit, dhe Planifikimit Hapësinor, e them me bindje të plotë nga gjykimi jo gjithmonë Kosova duhet të shikojë vetëm përafrimin e legjislacionit mjedisor me atë të BE”, tha ajo.

“Tashmë në deakdën e fundit është vërtetuar që jo gjithmonë përafrimin i legjislacionit ka qëlluar të jetë i suksesshëm. Mund ta marrë një shembull, hidrocentralet, ndonëse planifikimi deri në 2020 kanë qenë që Kosova të ketë diku rreth 177MW energji përmes hidrocentraleve, ndonëse deri në 2019 kanë arritur vetëm diku 50MW. Sërish është pa një projekt jo real dhe i dëmshëm për mirëqenien e qytetarëve”, theksoi Reshitaj.

Reshitaj: Unë kundërshtova TC ‘Kosova e Re’, mirëpo arsyetimet e ekspertëve ndërkombëtar ishte se nuk mund të kalojmë 10 shkallë menjëherë dhe të kalojmë në një energji të ripërtëritshme

Përgjatëjatë diskutimit Reshitaj pohoi se deri më tani ka munguar një vullnet i mirëfilltë politik për të punuar në drejtim të ruajtjes së mjedisit.

Tutje, ajo preku edhe projektin e termocentralit ‘Kosova e Re’, teksa theksoi se gjatë kohës së saj në detyra ekzekutive ajo kishte kundërshtuar ndërtimin e termocentralit të ri, mirëpo kishte hasur në kundërshtim të ekspertëve ndërkombëtar me arsyetimin se ‘nuk mund të kalojmë 10 shkallë menjëherë dhe të kalojmë në një energji të ripërtëritshme’.

“Është e vërtet që ka munguar vullneti politik për të punuar në drejtim të ruajtjes së mjedisit në vendin tonë”, tha Reshitaj.

“Ne jemi si shtet vonë pasiqë deri në 2020, duke shpresuar në termocentralin ‘Kosova e Re’, kemi lënë anash mundësitë dhe hapësirat që do të duhej ti jepte Kosova për energji të ripërtëritshme”, theksoi Reshitaj.

“Të ju them të drejtën ka qenë mjaft sfiduese për mua, sepse në njëjtën kohë po përgatitej kontrata për termocentralin ‘Kosova e Re’, kurse unë loboja dhe luftoja shumë për ndërprerje të përdorimit të qymyrit”, tha ajo.

“Sepse në rastet kur kërkoja të rishikohet mundësia e ndërtimit të një termocentralit të tillë, nga qasja ime profesionale dhe nga ministria e mjedisit, arsyetimi ishte se ne nuk mund të kalojmë 10 shkallë menjëherë dhe të kalojmë në një energji të ripërtëritshme, e cila sipas disa ekspertëve ndërkombëtar dhe vendor ishte ambicioze dhe e pamundur të ketë një zhvillim të qëndrueshëm”, tha Reshitaj

Shend Boshnjaku: Shpresoj që kjo qeveria e re të mos jetë e një mendësie të njëjtë si qeveritë e kaluara sa i përket investimit në një termocentral të ri me bazë qymyri

I ftuar si panelist ishte edhe Shend Boshnjaku, drejtor ekzekutiv i Green Energy Kosova, i cili shprehi pakënaqësinë në lidhje me prioritetin e mangët që i është dhënë sektorit të energjisë në programin e ri qeverisës.

“As kjo qeveria e re nuk ka qitë në pah dicka të re, ose me tregu që kena me i jep prioritet të madh burimeve të ripërtëritshme të energjisë, apo efiçensës së energjisë. Është përmendur në konferenca si terme, mirëpo jo ndonjë plan dicka më specifik se cila janë statistikat në Kosovë, dhe si duhet të shkohet përpara”

Tutje, ai theksoi se shpreson që, ndonëse aktualisht ekziston paqartësi, qeveria aktuale nuk do t’i japë rëndësi të njëjtë investimeve të reja në kapacitete të gjenerimit nga thëngjilli

“Shpresoj që kjo qeveria e re të mos jetë e një mendësie të njëjtë si qeveritë e kaluara sa i përket investimit në një termocentral të ri me bazë qymyri.”, tha ai

“Kjo për arsye se ne mund të themi që mundet të shkaktojë një qëndrueshmëri të mirë energjetike, ne për 50 vite do të kemi energji të mjaftueshme, mirëpo cfarë për mirëqenien e qytetarëve? A është më e rëndësishme shëndeti i qytetarëve apo qëndrueshmëria në një sektor?”, shtoi ai tutje.

Për më tepër, Boshnjaku fol iedhe për potencialin e kënaqshëm që përbënë vendi ynë për zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme, teksa foli edhe për mundësitë e pashfrytëzuara në lidhje me efiçensën e energjisë.

“Fatmirësisht Kosova ka potencial të madh në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Flasim për shembull për energjinë solare, për solaren kemi 281 ditë me diell në të cilat Kosova mundet me prodhu, pra kemi më shumë se sa në shumë vende në Gjermani të cilët janë të parët në arritjen e objektivave”, tha Boshnjaku

“Sipas raportit të Komisionit Evropian thuhet që qeveria e Kosovës për institucionet e saj dhe ndërtesat e saj për një vit i harxhon diku 22 milion euro vetëm në pagesa të energjisë elektrike. Gjersa, me implementimin e masave të efiçensës së energjisë kjo do të reduktohej nga 20 deri në 30% për secilin vit”, tha ai.

Lulzim Syla: Në dhjetë vitet e fundit kostoja e paneleve solare ka rënë për 100%

Konferenca në përbërjen e saj të panelistëve kishte prezent edhe përfaqësues të sektorit privat në kuadër të sektorit të energjisë, përkatësisht Lulzim Sylën nga Elen, kompani e cila merret me shitjen e produkteve dhe shërbimeve në fushën e energjisë elektrike.

Syla foli për rënien e konsiderueshme të kostosë së teknologjive të energjisë së ripërtëritshme, përkatësisht paneleve solare.

Rrjedhimisht, gjatë diskutimit ai poashtu shtjelloi rekomandimet që mund të merren parasysh nga institucionet në mënyrë që produktet e teknologjisë së energjisë së ripërtëritshme të bëhen më të përballueshme për qytetarët, e që sipas tij do të kishte efekt ekonomik gjithëpërfshirës e zinxhiror.

“Jo! Për fat, për shkak të ndryshimeve teknologjike, nëse para 10 viteve ka kushtuar 1 miion euro, sot kushton 500 mijë euro. Nëse flasim në terma për një cati të madhe ose një sipërfaqe të vendosjes së paneleve në tokë”, tha ai.

“Ndërkaq, sa i përket familjeve, ajo që kemi rekomanduar ne si kompani por edhe si asosiacion qoftë përmes Kimerk-ut, por edhe përmes odave ekonomike, që me qëllim që të nxitet konsumi edhe tek familjet, duhet të shfrytëzohen në maksimum mekanizmat e taksave”, theksoi Syla.

“Një prej këtyre mekanizmave është që përderisa buxheti i Kosovës asnjë cent nuk e merr nga implementimi i sistemeve solare në familje, logjika ekonomike thotë që ti duhet të provosh, për të paktën një vit apo dy, të hiqesh taksën e cila mundëson që gati deri në 20% një panel për familje të jetë i gatshëm”, tha ai.

“Dhe në këtë mënyrë ka mundësi që të ndahet edhe një fond jo më tepër se 4 milion euro, me mbështetje 20% për biznese, që do të mbulonte një pjesë të kredisë dhe një pjesë mbështetje prej 10% prej fondit investiv. Dhe në bazë të kësaj, do të krijonte parakushtet që të investohet prej 20 deri në 100MW në komunitetin e energjisë në pesë vitet e ardhshme”, theksoi Syla.

Lulzim Syla: Ngrohja qendrore nuk duhet të zhvillohet me ndotje dhe djegie të pyjeve

Tutje, si i thirrur për ekspertizën e tij për çështje energjetike, ai theksoi se sipas mendim të tij ngrohja qendrore, në veçanti projekt i zhvilluar në Gjakovë, nuk do duhej të krijohet me ndotje dhe djegie të pyejeve.

“Tek ngrohja qendrore, unë personalisht, nuk jam i mendimi që duhet të krijohet ndotje dhe djegie të pyjeve te rasti i ngrohtores së Gjakovës”, tha Syla.

“Mund të ndodhë që me ekspertë të bioamasës kanë një argument ndryshe, mirëpo unë nuk jamë për. Jo do e mos është dashtë të bëjmë diçka për qytetin e Gjakovës, patjetër që të gjejmë një zgjidhje alternative aty për aty, është dashtë të mendohet në terma më afatgjate”, theksoi Syla.

“A ka burime alternative të ujërave gjeotermale, që mund të shfrytëzohen, ndërsa alternativa e dytë kur i bashkangjatitet në rastet kur ka mungesë të burimeve gjeotermale janë edhe panelet solare termike, që ka paraparë komuna e Prishtinës ti ndërtojë rreth 50MW”, sqaroi Syla.

Syla: Kur flas për siguri energjetike nuk nënkupton vetëm a po na ndërprehet rryma apo jo!? Duhet t’i parashohim të gjitha problemet që janë gjeostrategjike…

Në anën tjetër, Lulzim Syla poashtu foli edhe për rëndësinë e ndërtimit të një termocentrali të ri me thëngjill, duke theksuar se ai përfaqëson jo vetëm siguri energjetike për vendin, por edhe rëndësi gjeostrategjike.

“Është çështje që është dashtë i gjithë vendi dhe e gjithë qeveria me u mbledhë dhe me e pa. E kemi humbur rastin e ofruesve gjerman që kanë qenë në 2005 – 2010 me ndërtu termocentral, tash kemi një situat kur kemi kritik të madhe nga institucionet ndërkombëtare”, theksoi Syla.

“Nuk është gjithçka as prej institucioneve ndërkombëtare, e di vetë 80km larg nga ku kemi zyrën e biznesit në Gjermani, është themeluar para dy muajve termocentrali i ri, me vonsesë, por u bë. Në Greqi njejtë, edhe në vende të tjera. Ne jemi më të qetë më të urtë, nuk kemi potencial për t’i shtyrë këto procese përpara”, tha Syla.

Tutje, ndonëse përfaqësues i një kompanie që specializon në teknologji të energjisë së ripërtëritshme, sqaroi se as skema e re e mbështetjes së projekteve të BRE, ankandat, nuk mjaftojnë që zgjidhin problemin e sigurisë energjetike.

“Nuk e zgjidhë kjo krejt problemin. Sepse fjalia e parë në ligjin për energji thotë ‘siguri për furnizim me energji elektrike’, apo energji për qytetarin. Që do të thotë se sistemet solare, në të cilin sektor jemi vetë, dëshira jonë është që të kemi 1GË në të gjithë Kosovën, por prap se prap energjia solare nuk është mekanizmi i vetëm që i’a mundëson sigurinë energjetike”, tha Syla.

“Kur flas për siguri energjetike nuk nënkupton vetëm apo na ndërprehet rryma apo jo, por duhet t’i parashohim të gjitha problemet që janë gjeostrategjike, duke filluar nga tendencat rajonale për të bllokuar në proces të transmisionit, me të blloku në import, me pasë probleme me kojshitë”, tha ndër të tjera Syla.

Viktor Berishaj: Duhet të bëhet edhe ndryshimi i strategjisë për energji, kjo që ekziston tash ka qenë e varur vetëm nga termocentrali ‘Kosova e Re’

Përmes platformës virtuale Zoom ishte edhe Viktor Berishaj, koordinator i politikave për Evropën Jug-lindore, edhe përfaqësues i CAN Europe.

Berishaj argumentoi se efiçensa e energjisë duhet gëzoi theks të vecant në mënyrë që fillimisht të ulet kërkesa për energji elektrike, e më pas të përcillet me planifikim të kapaciteteve të BRE.

“Theksi së pari duhet të vendoset në efincensën e energjisë, sa ne mundemi me e ulë kërkesën për energji elektrike, sa ne mundemi me e përdor në mënyrë sa më efiçente atë energji elektrike që ne e përdorim, pastaj mund të flasim sa kapacitete të reja të BRE na duhen”, tha ai.

Në anën tjetër, ai insistoi se vendet e rajonit nuk duhet të shohin vetën si ishuj, duke sqaruar se bashkëpunimi i ndërsjellë në mes vendeve përbënë një avantazh të theksuar për të arritur objektivat e përbashkëta klimatike dhe për të lehtësuar tranzicionin energjetik.

“Kosova dhe vendet tjera të rajonit të Ballkani Perëndimor, duhet të kuptojnë se nuk janë ishuj. Pra nuk duhet me e pa problemin energjetik të lidhur ngushtë vetëm me atë se sa arrinë të prodhosh rrymë brenda. Një nga arsyet pse Kosova është nënshkruese në traktatin e Komunitetit të Energjisë është që të krijohet një treg mbarë Evropian energjetik”, tha ai.

“Në këtë mënyrë Kosova duhet të dalë nga kornizat e saj, që të integrojë tregun e vet energjetik, të mbështetet në njërin dhe tjetrin shtet kur ka nevojë për balansim, por edhe për zhvillimin e politikave të burimeve të energjisë së ripërtëritshme”, theksoi Berishaj

Berishaj poashtu foli për rëndësinë e planifikimit afatgjatë, teksa tha se objektivat klimatik të cilët vendosën duhet të jenë sa më ambicioz.

“Tash kur Kosova është duke bërë planin kombëtar për energji dhe klimë që caku që caktohet sotë me qenë aq ambicioz sa na mundëson arritjen e neutralitetit të klimës deri në vitin 2050”, tha ai

“NECP duhet të ketë masa dhe plane në detajë se si do të arrijë këtë. Dhe cka është më e rëndësishmja është se, ne kemi pasur shumë strategji deri më tash, megjithatë implemetnimi i tyre ka qenë gjithmonë shumë i ngadaltë apo i paimplementuar fare”, tha ai.

“Përvec kësaj duhet të bëhet edhe ndryshimi i strategjisë për energji, kjo që ekziston tash ka qenë e varur vetëm nga termocentrali ‘Kosova e Re’, dhe unë mendoj që kemi shumë punë për të bërë dhe kjo mund të arrihet”, theksoi ai.

Berishaj: Nëse do e kishim tatu me cmimin e sotëm nivelin e emsioneve që dalin nga termocentraleve do të ishte dikun 308 milion euro në vit

Teksa foli për planet e implementimit të taksës ndërkufitare të karbonit të Bashkimit Evropian, Berishaj poashtu ceki mungesën e përfshirjes së cmimit të karbonit në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë mënyrë, ai poashtu elaborojë skenarët potencial, që përfshijnë kostot e shtuara financiare në rast se Kosovoa do të vazhdonte me ndërtimin e termocentralit të ri.

“Nuk mund të pajtohem se qymyri është opsioni më i lirë i Kosovës. Nëse kishim me e vendosë këtë taskën, e cila ka me u vendos është dicka që e pret Kosovën deshtëm apo nuk deshtëm. Nëse do e kishim tatu me cmimin e sotëm nivelin e emsioneve që dalin nga termocentraleve do të ishte dikun 308 milion euro në vit. Ajo është shumë marramendëse e cila ka me na shkatërru ekonominë, dhe pa taksën e karbonit nëse e vendosim një shumë dhe shumë më të vogël 20 apo 30 euro, arrijnë në qindra miliona euro që kanë me u dashtë që KEK-u t’i paguajë, dhe KEK është një ndërmarrje publike që kërkon subvencione nga qeveria”.

Konferenca u organizua përmes projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë “Europeanization of Kosovo’s Environmental Agenda”, ndërsa implementimi i saj ishte bërë nga BIRN Kosova, CEE Bankwatch, ERA Group dhe TV Mreza.