Search

Sot protestojn qytetarët kundër rritjes së çmimit të energjisë

February 06, 2026


Një grup aktivistësh, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit për media, protesta do të mbahet sot, duke filluar nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Organizatorët e protestës kanë deklaruar se që nga viti 2022 faturat e energjisë elektrike janë shtrenjtuar në baza vjetore, duke theksuar se kërkesat e KEDS-it për rritje çmimesh po aprovohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në dëm të qytetarëve.

Sipas tyre, qytetarët nuk po paguajnë vetëm koston reale të energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë, ndërkohë që përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës, mungesë ngrohjeje dhe rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.

Aktivistët përmendin rritjen prej 16.1% të çmimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, duke paralajmëruar se sivjet po diskutohet një rritje tjetër rreth 21%, të cilën e cilësojnë si të papranueshme.

Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalet, siç thonë ata, “hajnia shumëvjeçare” dhe të mbrohet interesi publik.

Njoftimi i plotë:

Të ndëruara media,

Ju njoftojmë se këtë të premte, një grup aktivistësh/esh, Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta nisë nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it dhe përfundon te Qeveria e Republikës së Kosovës. Ju ftojmë ta përcjellni.

Që nga viti 2022 faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë.

Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës. Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit.

KEDS-i vazhdon t’i mbledhë frytet e punës së punëtorëve/eve të KEK-ut që punojnë natë e ditë për ta prodhuar rrymën të cilën e blen shumë lirë e neve na e shet shumëfish. Përveç që vazhdon ta shfrytëzojë asetin publik dhe punën e dinjitetin e punëtorëve/eve të KEK-ut, KEDS-i, i ndihmuar vazhdimisht nga ZRrE-ja, po tenton të na varfërojë edhe më tej.

Ky paralajmërim që vjen në formë kërcënimi periodik është haptazi zhvatje ndaj nesh. Të revoltuar/a dhe të vendosur/a ta mbrojmë veten dhe mirëqenien tonë kundër privatit dhe argatëve të tij shtetërorë, ne organizohemi dhe kundërshtojmë deri në fitore. Andaj, ne thërasim për protestë për këtë të premte, në ora 13:00 përballë zyreve të KEDS, që një zë të thërrasim për ndalimin e kësaj hajnije shumë-vjeçare. Duke e njoftë se etja e KEDS ndaj parave të qytetarëve/eve nuk do të shuhet vetvetiu ne kërkojmë që:

  • Të refuzohet, pa asnjë paqartësi, kërkesa e KEDS për rritje të çmimeve.
  • Të fillojë procesi i rikthimit të KEDS në duar të publikut.
  • (kërkesa të sindikatës)

Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Së bashku, ne mund ta ndalim hajninë e KEDS, dhe të rikthejmë atë në duar të popullit të Kosovës! 

Një tjetër iniciativ është realizuar nga Rinia Demokratike e Kosovës (RDK). Të cilët ditën e djeshme kanë zhvilluar një aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë, përmes të cilit ka kundërshtuar paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, mungesën e saj si dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

Gjatë aksionit, të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës lanë para ministrisë një faturë simbolike të përmasave të mëdha, e cila, sipas tyre, pasqyron realitetin e rëndë të çmimeve të larta dhe jetesës me borxhe të shumë familjeve kosovare.

Në emër të Rinisë Demokratike të Kosovës, para mediave foli kryetari i Degës së RDK-së në Prishtinë, Trim Syla, i cili tha se aksioni është një thirrje për përgjegjësi institucionale dhe ndalje të goditjes ndaj qytetarëve.

“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfatë jetën e qytetarëve çdo muaj,” tha Syla, duke shtuar se “një familje në Kosovë, me 1000€ të ardhura mujore, ka 1085€ shpenzime bazike”.

Ai theksoi se kjo faturë përfaqëson modelin e një familjeje të vogël me dy prindër të punësuar, duke vënë në pah vështirësitë e jetesës edhe për familjet me të ardhura më të ulëta.

Sipas Sylës, rritja e çmimit të energjisë elektrike po i shtyn qytetarët drejt varfërisë.

“Rritja prej 21% e çmimit të energjisë elektrike nuk është reformë. Është goditje direkte ndaj familjes. Është shtytje drejt varfërisë,” deklaroi ai.

Syla shtoi se pasojat e rritjes së çmimit të energjisë elektrike po reflektohen edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazike dhe shërbimeve të tjera, ndërkohë që pagat mbesin të njëjta.

“Energjia nuk është luks. Është nevojë bazike,” tha ai, duke theksuar se fatura simbolike do të mbetet para Ministrisë së Ekonomisë deri në marrjen e përgjegjësisë nga institucionet.

Në fund, Rinia Demokratike e Kosovës kërkoi ndaljen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, transparencë në menaxhimin e sektorit energjetik dhe politika publike që mbrojnë qytetarët nga varfëria dhe borxhet.

/Telegrafi