Search

Shpërbërja e pjesëve jofunksionale të termocentralit “Kosova A” kërkesë e BE-së

13 Nëntor, 2023


“Kosova është e varur nga termocentrale të dala kohe, jo të besueshme dhe me shkallë të lartë me ndezje linjiti” dhe “që janë rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin”, është njëri nga konstatimet në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

Kjo fjali përcillet me kërkesën për dekomisionimin apo shpërbërjen e pjesëve jofunksionale të Termocentralit “Kosova A”, si dhe investimet në atë “Kosova B”, pasi në gjendjen aktuale ka shkelje të standardeve evropiane të kundër ndotjes.

Krahas vlerësimit se “Kosova fatkeqësisht nuk ka arritur të prioritizojë kapacitetet e reja prodhuese”, Zekirja Shabani theksoi se duke marrë për bazë vjetërsinë dhe ndotjen, të dyja termocentralet do të duhej mbyllur vite më parë.

“Ne vazhdojmë të investojmë në një të ashtuquajtur gjigant, por tashmë të vdekur, pra veç po e vështirësojmë edhe më tej qasjen e Kosovës në tregun evropian. Do të thotë, integrimi shkon bashkë me këto termocentrale dhe bashkë me ndotjen që ne ia bëjmë jo vetëm Kosovës, por edhe vendeve të rajonit dhe BE-së, e një kosto e tillë shkon deri në 400 milionë euro vjetore”, tha Shabani.

Teksa konstatoi se me riparime e remonte në vend të investimeve në kapacitete të reja prodhuese, energjetika përbën njërin nga dështimet më të mëdha të pasluftës, Safet Gërxhaliu, tha se kjo është fitore e mafies energjetike.

“Kjo është kostoja e mungesës së sundimit të ligjit dhe kriminalizimit të ekonomisë kosovare. Dhe, në këtë drejtim, në vend se të jemi një shtet që prodhon energji elektrike me filtra dhe standarde evropiane, ne sot jemi me teknologji të vjetruar, jemi me kapacitetet të cilat po të përmbushen standardet dhe kriteret evropiane dhe ndërkombëtare, do të ishin të mbyllura. Por ky është realiteti dhe mjerimi i Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Vazhdimi pa investime në kapacitete të reja, sipas Shabanit, mund t’i kushtojë shumëfish Kosovës.

“Në momentin që ne fillojmë të paguajmë taksën e karbonit, që së shpejti na hyn në agjendë, do të na shtrenjtohet edhe energjia elektrike… Po na thotë rishikojeni këtë strategji, bëhuni gati për integrim bashkë me kapacitete të reja të energjisë për shkak se keni me pagu shumë shtrenjtë edhe me ndotje dhe si kosto në faturat e energjisë te qytetarët”, tha Shabani.

Termocentrali “Kosova A” ishte paraparë të shpërbëhej më 2015, e më pas më 2017, por edhe sot ky termocentral i vjetër mëse gjysmë shekulli përbën rreth 40% të kapacitetit të përgjithshëm prodhues të Kosovës, me bazë thëngjillin.